Home KRYESORE Prokuroria fl...

Prokuroria flet për skandalin e pagave: Dy punonjës të Tatimeve dhe AKSHI i shitën tek subjekte private

417
0

Prokuroria e Tiranës ka dalë në nje konferencë duke zbardhur skemën e bërjes publike të të dhënave personale të shtetasve shqiptarë si pagat apo targat e makinave. Për këtë çështje janë arrestuar 4 persona, dy punonjës të administratës dhe dy persona të tjerë.

Sipas Prokurorisë nuk kemi të bëjmë me hakim të të dhënave, por marrje të tyre nga specialistja e IT të Drejtorisë së Tatimeve, e cila është arrestuar bashkë me një koleg të sajin.

“Kemi identifikuar 4 autorë, 2 janë punonjës në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, si punonjës IT për të cilët ka dyshime se prej tyre kanë rrjedhur të dhënat personale”, tha prokurorja e Tiranës, Elizabeta Imeraj.

“Specialistja e IT e tatimeve e punësuar në AKSHI duke pasur akses në sistem ka marrë të dhënat dhe i ka shpërndarë te kolegu, i cili më pas ia ka shitur subjekteve private. Pra nuk kemi hakim të rrjetit, por punonjës kanë shpërdoruar detyrën dhe i kanë shitur këto të dhëna. Janë arrestuar edhe 2 autorë të tjerë të dyshuar, të cilët punojnë në sektorin privat që kanë blerë këto të dhëna”- tha shefja e prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj.

Në një konferencë për media, kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj, tha se pagat e shqiptarëve dolën nga një specialist IT, përmes shitjes dhe blerjes së tyre nga subjektet private.

Sipas saj, hetimit do t’i shkohet deri në fund, për të zbuluar subjektet e përfshira, të çfarëdo niveli qofshin ato.

Pyetje: Me çfarë çmimi janë shitur të dhënat personave të shqiptarëve?

Imeraj: Bëhet fjalë për pagat e disa muajve dhe është zbuluar se kanë dalë nga një specialist IT. Është zbuluar se ato kanë dalë përmes shitjes e blerjes së këtyre të dhënave nga subjektet private. Unë them se do t’i shkohet në fund çdo lloj subjekti të përfshirë në këtë veprimtari, i çfarëdolloj niveli qoftë ai. Prokuroria po heton edhe në drejtim të qëllimit të përdorimit të këtyre të dhënave.

Pyetje: A e kanë pranuar personat e arrestuar?

Imeraj: Ka dy momente në rangun e një hetimi, që lidhen me grumbullimin e provave, që krijojnë dyshimin e arsyeshëm, dhe qëndrimin e mbajtur personalisht të personave të hetuar. Ne nuk mund të shprehemi, por flasim për provat që kemi arritur të grumbullojmë.

Pyetje: Kush janë të arrestuarit?

Imeraj: “Kjo do ju përcillet në një komunikatë për shtyp, por edhe seanca është me dyer të hapura dhe mund të merrni pjesë. Janë të punësuar te AKSHI, paçka që ushtrojnë detyrën në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Siç e shpjeguam prokuroria që prej datës 22 dhjetor ka kryer veprime intensive të ngjeshura në kohë. Janë kryer veprimet e duhura për të prezantuar autorët dhe mekanizmin e ngjarjes, për më tutje do të presim hetimet në vijim”- deklaroi Kryeprokurorja.

Raportohet se Eni Qirjako dhe Andi Agaraj janë punonjësit e AKSHI-it që janë vënë në pranga.

Ndërsa Klodian Sota dhe Endri Ikonomi janë dy punonjës të kompanive private që i kanë blerë të dhënat e shqiptarëve nga dy specialistët e IT-së te Tatimet, që ishin të emëruar edhe pranë AKSHI-t.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit