5 shqiptarë në Kampionatin Botëror! Nisin ethet e ngjarjes më të madhe të futbollit

Pesë futbollistë shqiptarë në Kampionatin Botëror, “Rusi 2018”. Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Granit Xhaka e Blerim Xhemaili luajnë në petkun e kombëtares së Zvicrës dhe Adnan Januzaj me Belgjikën. Zvicra është në grupin E me Brazilin, Kosta Rikën dhe Serbinë, ndërsa Belgjika është në grupin G me Anglinë, Tunizinë dhe Panamën.

Me ndeshjen e sotme Rusia – Arabia Saudite, e cila luhet në orën 17.00 në stadiumin “Luzhniki Arena” në Moskë, hapet perdja e Kampionatit Botëror. I madh dhe i vogël në pesë Kontinentet e botës, mezi e presin ngjarjen më të madhe botërore. Kampioni në fuqi i botës, Gjermania është në grupin F me Suedinë, Meksikën dhe Korenë e Jugut. Gjermania pretendon ta mbrojë titullin e kampionit, megjithëse do ta ketë shumë vështirë, kur kihet parasysh konkurrencën e tmerrshme. Mjerisht në këtë ngjarje të madhe botërore mungojnë Italia dhe Holanda.

Nga ana tjetër, futbollistët më të mirë në botë, si Lionel Messi me Argjentinën dhe Cristiano Ronaldo me kampionin në fuqi të Evropës, Portugalinë, zotohen të japin maksimumin. Portugalia është në grupin B me Spanjën, Iranin dhe Marokun, kurse Argjentina në grupin D me Nigerinë, Kroacinë dhe Islandën. Si çdo Kampionat Botëror edhe ky pritet të sjellë në sipërfaqe emra të rinj, që do të shpërthejnë në këtë ngjarje të madhe.

Swiss Digital Desktop Reklama

Interesant është se kombëtarja e Anglisë nga viti 1966 nuk e ka fituar Kampionatin Botëror, ndërsa Brazili deri me tash ka fituar pesë herë trofeun më të çmueshëm. Të dielën e 17 qershorit, Brazili do të ndeshet me Zvicrën e shqiptarëve dhe do të jetë një ndeshje shumë interesante ani se bastet e ndryshme i konsiderojnë si favoritë “kariokët”. Valon Behrami është në formë të jashtëzakonshme dhe me padurim me kombëtaren e Zvicrës e presin ballafaqimin me Brazilin.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Këtu në Rusi çdo moment është i rëndësishëm për mua, ndoshta është turneu i fundit i madh i karrierës sime”, ka thënë Behrami. Futbollisti më përvojë të madhe dhe shtylla e kombëtares së Zvicrës shpreson në një ditë të keqe të sulmuesit brazilian, Neymar. Si do të ndalin Neymarin? “Neymar është një nga top 3 futbollistët më të mirë në botë. Mund të shpresojmë në një ditë të keqe të tij. Në duel një me një Neymar është i pandalshëm, ne duhet të veprojmë së bashku, si një ekip”, ka thënë mes të tjera Behrami. Tifozët pritet të sjellin atmosferë drithëruese dhe madje të del ndonjë kombëtare që mund t’i befasojë të gjithë siç ishte Islanda dhe Uellsi në Euro 2016.

Si kombëtare favorite pa dyshim llogariten Brazili, Gjermania, Argjentina, Franca, Spanja, e cila së fundi ka telashe pas shkarkimit të përzgjedhësit Julen Lopetegui dhe në vend të tij emërohet Fernando Hierro. Ndër favoritët është edhe Kroacia që ka ekip shumë të mirë, Anglia, Uruguai etj. megjithatë befasitë si gjithmonë nuk përjashtohen.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?