Abazaj: Dua të luaj së më parë, më bindi Grezda që të shkoj te Osijek
Kristial Abazaj ka zhvilluar sot stërvitjen e parë me skuadrën e Osijek në Kroaci. Ish-sulmuesi i Luftëtarit ka dhënë intervistën e parë për klubin e ri, duke treguar fillimisht për aventurën në Belgjikë te Anderlecht, ku ai ka kaluar pjesën më të madhe të sezonit.
”Në fillim isha shumë i lumtur sepse është e rrallë që ndonjë nga lojtarët e Superiores në Shqipëri, të transferohen në një klub aq të madh sa Anderlecht-i. U ndjeva i gëzuar, edhe pse e dija se duhej të konkurroja për një vend në skuadër. Pata fatin e keq se u dëmtova në fillim, dhe më vonë ishte e vështirë të tregoja më të mirën time. Por, jam i kënaqur që pata mundësinë të isha në një ambient të tillë, duke e ditur çfarë vlerësimi ka në nivelin europian ai klub. Është një përvojë shumë pozitive, dhe mësova shumë atje”.
Konkurrenca në Belgjikë- “E vërtetë, kishte një konkurrencë të madhe për një vend në ekip, po ashtu edhe në repartin e sulmin. Gjithmonë ndodh diçka e tillë tek Anderlecht-i, duke parë ambiciet e tyre për luftën në titull, ose të paktën një vend në krye të tabelës. Por, konkurrenca i bën mirë të gjithëve”.
Aventura e re- “Të them të drejtën, nuk dija shumë rreth Osijekut. Sidoqoftë, kur mora vesh për ofertën, fillova të pyes rreth klubit. Fola me shokun tim kroat tek Anderlecht-i, Ivan Santini, që më tregoi shumë, dhe gjithashtu kontaktova edhe bashkëkombësin tim Eros Grezda, që ka luajtur më parë këtu. Ai më tha shumë në lidhje me këtë klub, gjë që më ndihmoi në fund të vendos që ta pranoj ftesën nga Kroacia”.
Stërvitja e parë- “U ndjeva shumë mirë, me sa pashë edhe në stërvitje, ekipi është mjaft i mirë. Shumë ndihmë më ka dhënë Muzafer Ejupi, i cili është nga Maqedonia, për t’u përshtatur sa më shpejt me shokët e skuadrës. Këtu dua të luaj sa më shpejt të jetë e mundur dhe besoj se do jetë një eksperiencë pozitive për mua”.
KOHA JONË SONDAZH

