Abrashi flet për dëmtimin e rëndë: Nuk mund të rrija gjithë ditën shtrirë
Freiburg nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në fundjavë ndaj Schalke 04. Pavarësisht se ishte një rezultat që nuk pati një vlerë të veçantë, një lajm fantastik ishte rikthimi në fushë pas 11 muajsh të Amir Abrashit. Mesfushori i kombëtares sonë nuk luante që nga 10 marsi i vitit 2018, pas një dëmtimi në të rëndë në gju. Në një prononcim për “Badische Zeitun”, 27 vjeçari ka folur për vuajtjet që ka kaluar për t’u rikthyer sërish në fushë.
“Të duhet të rrish duke motivuar veten. Por nuk mund të qëndrosh i shtrirë gjithë ditën. Duhet edhe të dalësh jashtë. Në fund të ndeshjes nuk isha aspak i lodhur, pasi gëzimi ta heqë atë”, tha Abrashi pas kënaqësi që mori duke u rikthyer në fushat e blerta. Mesfushori ka treguar se ka marrë një trajner personal për t’u kujdesur për të dhe për ta ndihmuar që të kalonte ditët e vështira duke e motivuar. Abrashi është rikthyer në stërvitje që nga muaji nëntor, por rikuperimi ka zgjatur sërish për shkak se dëmtimet në gju janë shumë të vështira për t’u rikuperuar. “Patëm shanse të mira shënimi në sfidën e fundit por nuk kishim vendosmërinë e duhur, veçanërisht në pjesën e parë. Ekipi punon shumë dhe nëse e bën këtë gjë është me e lehtë për të rigjetur formën”, deklaroi Abrashi, i cili ka deklaruar që shpreson të shijojë fitoren e parë në duelin e radhës ndaj Augsburg.
Abrashi është një nga lojtarët më të rëndësishëm për kombëtaren shqiptare, pasi vrapon pafund në mesin e fushës. Deri tashmë ai ka bërë 27 paraqitje me fanellën kuqezi dhe pritet të jetë i grumbulluar në ndeshjen me Turqinë në 22 mars. Nofka “Pitbull” që i është vendosur nga tifozeria shqiptare është një dëshmi e qartë për rëndësinë që ka ai në fushën e lojës. Dëmtimi në gju do të jetë i vështirë për t’u kaluar, por Abrashi ka treguar se di ta fitojë këtë betejë me grintën që shfaq shpesh herë me ndërhyrjet e tij. /R.Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

