Ardian Takaj: Ta dinë të gjithë, Olainka i përket Skënderbeut!
Presidenti i Skënderbeut Ardian Takaj ndodhet në Austri, pranë skuadrës së tij. Kreu i klubit korçar, pesë herë radhazi kampion në Shqipëri, ka vajtur atje për të përcjellë nga afër miqësoren e radhës me Universitatea Craiova. Po ashtu, synon të njihet nga afër me situatën dhe përgatitjet e Skënderbeut në prag të përfaqësimit në Kupat e Europës, por edhe t’u mbushë mendjen dy lojtarëve titullarë që të rinovojnë. Më saktësisht, Tefik Osmani dhe Marko Radas janë me kuqebardhët në stërvitje, por nuk kanë rinovuar akoma për sezonin e ri futbollistik.
Titullarët e tjerë e kanë hedhur firmën mbi kontratë para se të iknin në Austri, një kërkesë edhe e trajnerit Mirel Josa kjo, ndërsa dy mbrojtësit në fjalë nuk kanë gjetur akordin e nevojshëm. Mësohet se janë të joshur financiarisht nga dy skuadra të tjera shqiptare, Tirana dhe Flamurtari, ndaj kanë hezituar për momentin. Kroati nuk ka marrë akoma premion e fitimit të titullit, ndaj kërkon të shlyhet në këtë drejtim e pastaj të ulet për të rinovuar.
Gjasat janë që të dy të mbeten pjesë e Skënderbeut, çka e ka konfirmuar edhe vetë presidenti Takaj: “Jam këtu në Austri për të folur me Radasin dhe Osmanin për kontratën. Ata janë të vetmit që nuk kanë rinovuar, por mendoj se do të kemi akordin përkatës. Skënderbeu është i kompletuar tashmë dhe po stërvitet në kushte optimale. Nuk përjashtoj ndonjë lëvizje tjetër, por këtë le t’ia lëmë kohës.”
Për shortin e së hënës që u hodh në Nion të Zvicrës, Ardjan Takaj shprehet optimist, por kërkon përqendrim e asnjë shenjë nënvlerësimi te të tijtë: “Sikurse e ka thënë edhe trajneri Josa, shorti ishte i favorshëm për ne. Të dy kundërshtarët e mundshëm në turin e dytë kualifikues të Ligës së Kampioneve janë më të dobët se ne në letër.
Entuziazmin e justifikoj te tifozët tanë, por aspak nuk dua ta konstatoj te skuadra. Nëse nënvlerëson cilëndo skuadër në një kompeticion të tillë, atëherë ke gabuar rëndë. Do t’i vëzhgojmë në ndeshjen direkte mes tyre kundërshtarët tanë të mundshëm, për të pasur njohje të mjaftueshme dhe për t’iu kundërvënë si duhet.”
Ndërkohë, problem te kampionët mbetet çështja “Olainka”. Pas pezullimit prej 6 muajsh për shkak të dy kontratave që talenti nigerian nënshkroi në verën e kaluar, Skënderbeu e pret ta ketë këtë sezon gati. Por sulmuesi nigeriani nuk i është bashkuar ende skuadrës së Mirel Josës në Austri. Për presidentin Takaj, “Olainka është lojtar i Skënderbeut dhe këtë duhet ta ketë të qartë çdokush, përfshi edhe vetë lojtarin”.
Shumë mister ka mbi futbollistin në fjalë. Bylis do të kërkojë të sqarojë kontratën e tij me Olainkën, nëse ekziston mundësia për ta rikthyer në Ballsh, ndërsa zëra merkatoje për të ka pasur edhe nga Turqia.
KOHA JONË SONDAZH

