Barcelona në qiellin e shtatë, ngre trofeun e Champions League
Trofeu i UEFA Champions League shkon për Barcelonën, që zbriti në fushë përballë Juventusit edhe si favorite, duke mos zhgënjyer kështu aspak tifozët. Fitorja 3-1 ndaj Juves në finalen e madhe të Berlinit mbylli një sezon të jashtëzakonshëm për Leo Messin, Luis Suarez e Neymar me shokë. Barcelona e ngriti për herë të pestë këtë trofe në histori, në 60 kompeticione që janë luajtur deri tani, nga tetë finale që ka luajtur gjithsej. Po ashtu si ekip, nën drejtimin e Luis Enrique, Barcelona mbyll një sezon të shkëlqyer duke i fituar të tre trofetë, pasi ishte kurorëzuar më herët me titullin kampion dhe me Kupën e Mbretit në Spanjë. Në tre trofetë e fundit që ka fituar me trajnerët e tjerë të Champions, dy me Pep Guardiola dhe të fundit me trajnerin e ndjerë Tito Vilanova, Barcelona nuk kishte mundur dot të realizonte në asnjë rast tripletën e famshme. Juventus, nga ana tjetër, pavarësisht se humbi finalen Champions, mund t’i gëzohet dy trofeve të tjerë, titullin dhe kupës në Itali, si dhe faktit që pas 12 vjetësh rikthehet në një finale të madhe duke dhuruar madje emocione të jashtëzakonshme. Ish-tenisti i famshëm gjerman, Boris Becker, e përshkroi ndeshjen kur po shkonte drejt fundit si një “ndeshje e jashtëzakonshme me emocione të papërshkrueshme.”
Ndeshja
Mbyllet me fitoren e Barcelonës 1-0 pjesa e parë e finales së UEFA Champions League. Juventus u ndëshkua që në minutën e 4’, me anë të Rakitiç, i cili mori shfrytëzoi aksionin e Leo Messit, që pasoi për Jordi Alba. Ky i fundit gjeti Neymar dhe barazoi e kaloi topin te Iniesta. Spanjolli mund të godiste vetë, por pasoi për Ivan Rakitiç pasi kroati e pati më të lehtë të dërgonte topin në rrjetë. Ggoli i Ivan Rakitiç ishte i pari që shënohet për Barcelonën nga një lojtar tjetër, përveç treshes Messi, Suárez ose Neymar, që prej 28 shkurtit. Gjithsesi, në pjesën e parë Juventus krijoi vetëm një aksion goli, nga katër të Barcelonës. Megjithëse Barça e kontrolloi lojën, Juve me kalimin e minutave nisi të tregohej më i qartë dhe më kërkues për golin e barazimit. Me fitoren e Barcelonës mbyllet pjesa e parë. Për Juven bëhet edhe më e vështirë përmbysja. e vetmja skuadër italiane që e ka fituar trofeun e Champions League, duke përmbysur shifrat në pjesën e dytë ishte Milan në vitin 1963 (2-1 ndaj Benfikës). Me fillimin e pjesës së dytë Leo Messi humbi shansin për të shënuar një ndër golat më të bukur në historinë e Champions, pasi topi i goditur prej tij pas një kombinimi, dhe goditje perfekte nuk përfundoi në rrjetë. Dhe vjen ndëshkimi. Juve në 55 barazon shifrat dhe rihap lojën. Marchiciso me finte pason në mënyrë perfekte në zonë dhe Tevez godet, por edhe pse grushton Ter Stegen, topi shkon tek Alvaro Morata, i cili barazoi shifrat. Morata është lojtari i dytë që shënon edhe në gjysmëfinale të Champions League edhe në finale, në një sezon të vetëm pas Robben, 2012/13. Juve pas barazimit fitoi më tepër besim në lojë dhe Tevez ishte shumë pranë golit të avantazhit, pak minuta më vonë. Dhe vjen ndëshkimi i Juves. Luis Suarez nuk mund të rrinte “duarkryq” në një finale të tillë. Në 68’ ai kalon katalanasit në avantazh, pasi topin e prekën të gjithë lojtarët katalanas, në një aksion perfekt, Luis Suarez ndodhet në vendin e duhur dhe e kalon topin pas veteranit të portës së Juves, Gianluigi Buffon, duke e mposhtur edhe pse ai kishte pritur më parë një goditje të vështirë të Leo Messit. Në minutat e mbetura, Juve kërkoi të barazonte shifrat dhe Barcelona u kujdes më tepër për të ruajtur avantazhin. Në minutën e fundit të kohës shtesë vjen edhe goli që vulosi takimin, 3-1. Neymar mori një asist të Rodriguez, pas një kundërsulmi të shpejtë dhe Juve me vetëm një lojtar pas, pëson golin e “Knock-out”. Ndeshja mbyllet 3-1 në favor të Barcelonës dhe radha i mbetet shampanjës e trofeut që ngrihet lart nga kapiteni Leo Messi.
Barcelona
Historia është me Barcelonën. Prej një dekade ekipi katalanas dominon futbollin evropian dhe mbetet sërish në majë. Pas Bajern Mynih, që fitoi tre sezone më parë të tre trofe, Barvelona është skuadra e radhës që arrin një sukses të tillë. Me këtë trofe Le Messi mund ta ketë më të lehtë të fitojë Topin e Artë. Luis Suarez u konfirmua një sulmues i klasit botëror, po ashtu edhe Neymar. Andras Iniesta mbetet një ndër mesfushorët më të mirë në botë. Por edhe Xavi që u fut në 10 minutat e fundit për të luajtur ndeshjen e lamtumirës. Ishte ndeshja e 151-të e tij me Barcelonën në Champions, dhe me këtë sukses historik ai i jep lamtumirën më të mirë të mundshme. Një sukses i merituar, me të gjithë lojtarët protagonistë, në këtë finale të madhe.
Finalja e Champions League – Stadiumi i Berlinit
Barcelona-Juventus 3-1
Shënues:Rakitiç 5’, Suarez 68’, Neymar 96'/ Morata 55’
Juventus:Buffon, Barzagli, Bonucci, Lichtsteiner, Evra (Coman 89’), Pogba, Marchisio, Pirlo, Vidal (Pereyra 79’), Morata (Llorente 85’), Tévez. Trajner: Masimiliano ALlegri
Barcelona:Stegen, Piqué, Mascherano, Jordi Alba, Daniel Alves, Rakitić (Mathieu 92’), Busquets, Iniesta (Xavi 78’), Suárez, Messi, Neymar. Trajner: Luis Enrique
Gjyqtar: Cüneyt Çakır (Turqi)
Kartonë të verdhë:Suarez/Vidal, Pogba, Bonucci
KOHA JONË SONDAZH

