“Blindohet” derbi, angazhohen 1.200 policë dhe 50 steward të “Kevitan Security”
Partizani-Tirana, sfida e po afron dhe tifozët e të dy kampeve janë gati për t’i shtuar shfaqjes në fushë, spektaklin e tyre të jashtëzakonshëm në tribuna me koreografinë, dekoret dhe korët që vetëm derbi mund t’i dhurojë. Gjithçka është gati edhe në këtë drejtim, (sot ora 29:45) me tifozeritë rivale që do të grumbullohen në pikëtakimet e tyre respektive për të shkuar të bashkuar si një trup i vetëm në stadium. Derbi i 142-të i historisë shënon edhe një tjetër rekord për sa i përket masave të sigurisë. Për të garantuar rendin do të angazhohen plot 1.200 forca të policisë, një numër rekord ky për sa i përket prezencës së uniformave blu që do të angazhohen për të bërë që gjithçka të shkojë më së miri. Ndërkohë që si zakonisht para derbit do të bllokohen për kalimin e makinave edhe rrugët përreth stadiumit.
Mbarëvajtja e sigurisë në stadium shënon një risi edhe për sa i përket angazhimit të Kompanisë “Kevitan Security” që do të angazhojë në stadium mbi 50 steëard të specializuar për punën që në “Qemal Stafa” të bëhet e mundur një organizim bashkëkohor siç ndodh në stadiumet europiane. Impianti kryeqytetas pritet të jetë i tejmbushur, megjithëse për të gjithë ata që duan të shohin derbin nga shkallët e “Qemal Stafës” ka ende bileta në shitje. Në fakt bëhet fjalë për bileta të disponueshme vetëm në sektorin D3 dhe E të përcaktuar për tifozët e Partizanit, që ka dhe shumicën dërrmuese të vendeve si skuadër pritëse, pasi biletat në sektorët e tifozerisë bardheblu janë shterur sa hap e mbyll sytë.
Partizani vjen në sfidën më të rëndësishme të sezonit me grupin e plotë të futbollistëve dhe për më tepër me moralin në qiell pas avantazhit që ka në derbi këtë sezon. Të kuqtë e kryeqytetit vijnë nga fitorja në transfertë me Teutën dhe në përballjen me Tiranën kanë finalen e sezonit për të përmbushur objektivin që është pjesëmarrja në Europa League. Trajneri Duro ka të gjithë futbollistët në dispozicion teksa ka kaluar frika e dëmtimit për portierin e kapitenin Alban Hoxha si dhe sulmuesin Stefan Raçiç.
Serbi gjatë vuajti gjatë javës duke humbur ndjenjat në një nga seancat stërvitore megjithatë pjesëmarrja e tij në derbi nuk është në dyshim. Në 3 ndeshjet e fundit në kampionat 15 herë kampionët kanë provuar të tre rezultatet nisur që nga humbja në Korçë me Skënderbeun për të vijuar në barazimin me Kukësin në “Qemal Stafa” dhe për ta mbyllur me fitoren në “Niko Dovana” ndaj Teutës. Partizani ka 4 derbi pa humbur duke marrë dy barazime dhe dy fitore, ndërkohë që humbja e fundit në kampionat si skuadër pritëse në derbi regjistrohet më 30 shtator të 2009 me rezultatin 0-2. Për të qëndruar tek shifrat të kuqtë kanë sulmin më të dobët nga 5 skuadrat e kreut me 35 gola të shënuar, teksa kanë mbrojtjen e 4 më të mirë po në 5 të parat e kampionatit.
Tirana, ndjekëse e Skënderbeut, që ka 6 pikë më tepër pas fitores 4-2 ndaj Teutës, duhet të fitojë sot derbin, për të mbajtur gjallë shanset e saj për titullin kampion.
KOHA JONË SONDAZH

