Botërori 2030, Amerika e Jugut përballë Ballkanit
Për herë të parë në historinë e botërorëve të futbollit, një turne i përmasave të tilla mund të organizohet në 4 shtete të ndryshme. Kili iu bashkua kandidaturave të Argjentinës, Uruguait dhe Paraguait për të pritur evenimentin më të rëndësishëm të kombëtareve për edicionin e vitit 2030, duke shtuar shanset e një triumfi të kontinentit amerikano-jugor, tani në një format të ri.
Presidenti i Kilit, Sebastian Pinera, përforcoi edhe më shumë projektin e lindur në vitin 2017. Politikani konservator, që në mandatin e dytë kërkon të bëjë hapa konkretë në rritjen ekonomike, e sheh Botërorin e futbollit si pjesë të platformës së tij.
Viti 2030 do të jetë ai që do të shënojë plot një shekull nga lindja e Kupës së Botës, edicioni i parë i së cilës është zhvilluar në Uruguai, një nga vendet e kandidaturës. Hera e fundit që një botëror është caktuar në Amerikën Latine është edicioni i Brazilit në 2014.
Ky edicion duket se do të jetë ai i një lufte dhe lobingu të kandidaturave të përbashkëta.
Kundër vendeve amerikano-latine janë Spanja, Portugalia dhe Maroku, një opsion transkontinental që ka gjetur oponencën e UEFA-s. Një kandidaturë të përbashkët mund të vendosin dhe Bullgaria, Serbia, Greqia e Rumania.
KOHA JONË SONDAZH

