Breitenreiter, trajneri i ri i Schalke 04
Klubi i Schalke 04 ia beson drejtimin e skuadrës ish trajnerit të Paderbornit, Andre Breitenreiter. 41-vjecari gjerman firmosi një kontratë 2-vjecare me Blutë Mbretërorë dhe do të jetë tekniku i Schalkes deri në 30 Qershor të vitit 2017. Vetëm 2 javë pas largimit të italianit Roberto Di Matteo, drejtuesit e klubit nga Gelsenkirshen emëruan Breitenreiter si trajner të ri, me këtë të fundit që do të ketë si objektiv kryesor ta kualifikojë skuadrën minimalisht në Uefa Champions League, gjë që Di Matteo nuk e bëri dot në sezonin e tij të fundit. Menjëherë pas zyrtarizimit të Breitenreiter si timioneri i ri i Schalkes foli për mediat Drejtori Sportiv i klubit gjerman, Horst Heldt.
Ky i fundit thuri elozhe për 41-vjecarin, duke theksuar se Breitenreiter është zgjedhja e duhur për Schalken pas largimit të Di Matteos. “Andre pëlqen futbollin sulmues dhe kjo është një nga arsyet përse ne besuam tek ai, pasi Schalke 04 është një klub i madh dhe gjithmonë lufton për pozicionet më të larta në tabelën e klasfikimit”, shtoi në vijim Heldt. Breitenreiter është një trajner i ri dhe me një të ardhme të madhe përpara. Unë jam i bindur se ai do të dijë t’i japë skuadrës atë fizionominë e nevojshme për t’i bërë gjërat mirë në sezonet që do të vinë. Me këto fjalë drejtori sportiv i Bluve Mbretërorë Horst Heldt përfundoi deklaratën e tij. Andre Breitenreiter bëri një punë të shkëlqyer me Paderbornin gjatë 2 viteve që ishte pjesë e kësaj skuadre duke e ngjitur klubin nga Vestafalia për herë të parë në histori në Bundesligën 1 në vitin 2014, edhe pse Paderborni nuk arriti të siguronte dot mbijetësën dhe sezonin e ardhshëm do të luajë sërish në Bundesligën e dytë.
KOHA JONË SONDAZH

