Bujar Shabani, kontratë 2 vjeçare me Skënderbeun
Bujar Shabani është goditja e radhës e Skënderbeut në merkato. Kampionët e Shqipërisë zyrtarizuan akordin me mesfushorin kosovar dhe që nga ky moment Bujar Shabani është futbollisti më i ri i skuadrës korcare. Në praninë e presidentit Ardian Takaj 24-vjecari firmosi kontratën që do ta lidhë me Skënderbeun për 2 sezonet e ardhshme duke u bërë blerja e 4-t e kampionëve në këtë merkato pas afrimeve të dy brazilianëve Mateus Lima dhe Romulo Cabral Pinto si dhe ish mesfushorit të Vllaznisë Bekim Dema, pa harruar këtu rikthimin në ekip të Ademir Souzës që për arsye dëmtimi nuk ishte pjesë e korcarëve gjatë sezonit të fundit.
Shabani u transferua te Skënderbeu nga Ferronikeli. Sezoni që sapo u mbyll ishte me të vërtetë fantastik për të teksa 24-vjecari u shpall kampion i Raiffeisen Superligës së Kosovës si dhe triumfoi në finalen e Digitalb Kupës me skuadrën nga Drenasi. Bujar Shabani pritet ti bashkohet Skënderbeut shumë shpejt në Austri, vend në të cilin kampionët e Shqipërisë po zhvillojnë fazën përgatitore në prag të përfaqësimit në Champions League. Të Martën korcarët fituan takimin e parë miqësor me rezultatin 2-1 ndaj rumunëve të Botosanit, ndërsa në datën 20 Qershor do të zhvillojnë miqësoren e dytë ndaj sllovakëve të Spartak Trnavas.
KOHA JONË SONDAZH

