Cavani çon në shtëpi Ronaldon, Uruguai në çerekfinale sfidon Francën (VIDEO)
Uruguai është gjysmëfinalisti i dytë i Kupës së Botës. Skuadra e Tabarez ka fituar 2-1 ndaj Portugalisë, duke dërguar në shtëpi që në fazën e 1/8-ve Cristiano Ronaldon, ashtu si Messi. Ylli portugezi dha sinjalin e parë të rrezikshëm që në minutën e 6-të, me një goditje të fortë në hyrje të zonës. Në minutën e 7-të, Luis Suarez ul mjaft mirë topin në krahun e majtë, kroson në zonë për Cavanin, i cili godet me kokë duke e dërguar topin në rrjetë. Portugezët u përpoqën që të vendosnin menjëherë në vështirësi amerikano-latinët, duke humbur një mundësi shumë të mirë me Fonten, që nuk mundi të përfitonte pas një rrëmuje në zonë.
Ky është goli i 44 me fanellën e Uruguait për sulmuesin, i cili është shërbyer në 12 prej nga Suarez. Cristiano Ronaldo provon me të gjitha mënyrat, por bllokohet mirë nga kundërshtarët. Uruguai i afrohet sërish golit pas 14 minutash, me anë të Luis Suarez që provon me një gjuajtje të fortë, por portieri largon në këndore. Në minutën e 22-të, Suarez i afrohet sërish golit pas ekzekutimit të një goditjeje dënimi, por Rui Patricio bën një pritje mjaft të mirë. Në fundin e pjesës së parë Cavani kontrollon mjaft mirë topin brenda zonës, dhe më pas tenton të godasë, por nuk arriti që të koordinohet në mënyrën e duhur. Në fraksionine dytë, Portugalia provoi për të gjetur hapësira në mbrojtjen e amerikano-latinëve. Raphael Guerreiro provoi me një goditje në hyrje të zonës, por tentativa e tij përfundon larg portës së Muslerës, por goli nuk do të vononte.
Pepe në minutën e 55-të, kërceu mjaft mirë në zonë, duke mposhtur për herë të parë në këtë Kupë Bote, Muslerën, i cili nuk kishte pësuar asnjë gol deri më tani. Baraspesha në Sochi zgjati vetëm 7 minuta, pasi të besuarit e Tabarez gjetën sërish rrugën e rrjetës. Edinson Cavani shënoi një super gol në minutën e 62-të me një goditje fantastike në hyrje të zonës, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi Rui Patricios. Portugalia rikthehet sërish të sulmojë, teksa Muslera në minutën e 69-të për pak sa bën një gafë të madhe pasi nuk mundi të kontrollonte një top në zonë, që nuk u shfrytëzua nga Bernardo Silva. Në fundin e kohës së rregullt Ronaldoi provoi me një goditje nga distanca, ndërkohë që Quaresma, humbi një shans të mirë në sekondat e fundit.
KOHA JONË SONDAZH

