Ceferin: Duhet të korrigjohet pozicioni jashtë loje me VAR, nëse ke hundën e madhe …
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka pranuar se VAR-i krijon rrëmujë, por nuk ka kthim mbrapa nga përdorimi i video-teknologjisë. Ky program teknologjik u krijua për të zvogëluar numrin e vendimeve të diskutueshme të gjyqtarëve, por ka prodhuar më shumë debate në Premier League, këtë sezon. Pjesa më e madhe e këtyre polemikave lidhen me vendimet e “offside” thuajse të padukshëm për syrin e lirë.
“VAR është një rrëmujë. Unë nuk mendoj se toleranca e një, ose dy centimetrave për “offside”, për shembull, është e mjaftueshme. Ne do t’i propozojmë një ndryshim IFAB. Gjithashtu, gjyqtarëve tanë”. VAR ka hyrë në përdorim në pjesën më të madhe të Europës , ka funksionuar më gjatë se në Premier League. Ceferin mbrojti standardet e aplikuara në garat e vetë UEFA-s, por përmirësimet e video-teknologjisë janë akoma të nevojshme.
Unë nuk kam qenë një tifoz i VAR. Madje, kam qenë shumë skeptik dhe mund të them se nuk më pëlqen rezultati i deritanishëm. Sidoqoftë, për fat të keq, nuk ka më asnjë kthim mbrapa. Futbollistët nuk festojnë më pas një goli, por presin VAR.
Në këto kohë rrezikon të jesh në pozicion jashtë loje vetëm se ke hundën e madhe. Linjat e “offside” janë të vizatuara nga VAR, ndaj ky kriter është pak subjektiv. Propozimi ynë është që të kemi një tolerancë prej 10 apo 20 centimetrash në këto raste. Para dy javësh patëm një takim me trajnerët më të mirë, Klopp, Ancelotti, Guardiola, Allegri dhe Zidane.
Iu treguam një faull me dorë dhe i pyetëm nëse ishte i dënueshëm apo jo. Gjysma tha po, të tjerët thanë jo. Prandaj, më thoni si mund të jetë e qartë rregullorja. Disa arbitra në Angli nuk e kontrollojnë fare VAR, ndërsa në Itali rrinë gjysmë ore për të marrë vendimin”, deklaroi Ceferin.

KOHA JONË SONDAZH

