Coutinho i thotë “po” PSG-së, Neymar edhe më pranë Barcelonës
Barcelona dhe Neymar synojnë që rrugët e tyre të ribashkohen gjatë kësaj vere, por i duhet të gjejnë një rrugëzgjidhje për të bërë realitet këtë lëvizje bombastike. Deri më tani asnjë nga palët nuk e ka pranuar se janë në negociata me njeri-tjetrin, por mediat pranë klubit blaugrana mendojnë ndryshe. PSG është gati të heqë dorë nga sulmuesi brazilian, por kërkon një shumë të frikshme që shkon në 300 milionë euro, ndërkohë që katalanasit po mundohen që të fusin në tratativa edhe disa futbollistë. Një nga lojtarët që do të ketë një rol të rëndësishëm në këtë operacion është Coutinho. Mesfushori brazilian sipas gazetës “Sport” ka vendosur që t’u thotë “Po” parisienëve, për të rigjetur formën e tij më të mirë.
Situata është e qartë: Mundësia e vetme që Barcelona të rimarrë Neymarin, është zvogëlimi i shumës së transferimit duke vendosur në mes edhe një nga futbollistët. Shkëmbimi i brazilianëve është në të mirë të të dyve, pasi ata nuk janë të lumtur në ekipet respektive. Coutinho është shprehur i gatshëm që nga sezoni i ri të luajë në Paris. Përfaqësuesi i tij ka negociuar ardhjen e tij në kryeqytetin francez, teksa kanë nisur negociatat direkte me Leonardon, bashkatdhetar i Coutinhos. Për momentin ai është i përqendruar te finalja e Kupës së Amerikës, atje ku po shkëlqen, ndërkohë që më pas do të nisë bisedimet me PSG për të gjetur gjuhën e përbashkët.
Një tjetër futbollist që mund të përfshihet në negociata për transferimin e Neymar-it është edhe Ivan Rakitic, për të cilin s’do të jetë e vështirë për ta bindur. Kroati kërkon të nisë një aventurë te re. Coutinho dhe Rakitic mund të ulin ndjeshëm vlerën e investimit që do të duhet nga Barcelona për operacionin më të bujshëm të kësaj vere në futbollin evropian. Në orët e fundit është përfolur edhe për një takim mes Messit dhe Neymar-it pas gjysmëfinales së Kupës së Amerikës, teksa marrëdhëniet mes tyre janë mjaft të mira. /R.Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

