De Biasi e thërret ndaj Francës, Dionis Avdiaj refuzon kuqezinjtë
Lojtari me origjinë shqiptare i lindur në Osnabruck të Gjermanisë dhe produkt i shkollës së famshme të futbollit Schalke 04, prej kohësh ka përfunduar në dëshirat e tifozëve të Kombëtares Shqiptare. Sulmuesi që ka luajtur me Kombëtaret e moshave të Gjermanisë, për muaj të tërë ka përfunduar në axhendën e drejtuesve të futbollit në Shqipëri. Më parë 19-vjeçarit i është bërë një kërkesë nga trajneri i 21-vjeçarëve Skënder Gega t’i bashkohet skuadrës që ai drejton, por Donis Avdijaj vendosi si kusht për të veshur fanellën e skuadrës A. Me huazimin e tij tek Sturm i Gracit në kampionatin austriak dhe lojën e zhvilluar aty, Avdijaj është rikthyer në vëmendjen e kuqezinjve, teksa De Biasi vendosi ta grumbullojë për këtë test miqësor shumë të rëndësishëm. Përgjigja e futbollistit ka qënë negative dhe gjithçka e sqaron me pak fjalë vetë trajneri kuqezi në konferencën për shtyp.
“Avdijajn e kam thërritur për këtë ndeshje pasi dëshiroj ta integroj me grupin dhe ambientin. Menaxheri i tij më tha që është i lodhur nga sezoni pasi ka patur probleme fizike gjatë edicionit dhe nuk mund të vijë në këtë grumbullim. Këtë më tha menaxheri i tij por mendoj se ai nuk dëshiron të vijë me ne”. Avdijaj kësisoj po ndjek gjurmët e Adnan Januzaj, teksa refuzoi sërish kuqezinjtë.
KOHA JONË SONDAZH

