Dinamo e Kievit shpërthen kundër UEFA-s: Çelsi, klub rus!
Jo të gjithë janë dalë të lumtur nga shorti që është hedhur sot në Nion në kuadër të fazës së 1/8-ave të Ligës së Europës. Në short, kishte përjashtim për shkak të konflikteve të ashpra mes shteteve dhe ky përjashtim ishte Dinamo e Kievit, që nuk mund të luante kundër skuadrave ruse pjesëmarrëse në këtë short siç ishte Zeniti apo edhe Krasnodari.
Por, pavarësisht këtij përjashtimi, Dinamo e Kievit ka pasur një short të keq, pasi ka peshkuar Çelsin, një nga favoritet absolute për triumfin final, ndërsa Rezo Kokonelidze menaxheri i skuadrës ukrainase, u shpreh se nuk e kupton këtë politikë të UEFA-s dhe se nuk duhej bërë asnjë përjashtim pasi ata ishin të gatshëm të luanin.
“Nuk po e kuptojmë këtë politikë të UEFA-s në futboll. Të gjithë donim që të luanim edhe kundër ekipeve ruse, por na thuhet se është e ndaluar. Në futboll duam që të kemi liri dhe të luajmë ndaj çdo kundërshtari, pastaj është edhe rasti i Çelsit. Vetëm si lokacion mund të konsiderohet ose si skuadër që është angleze pasi si klub dhe kryesi është ruse. Kemi luajtur edhe ndaj Çelsit dy herë por tani politika është ndryshe dhe asgjë nuk funksionon, nëse politika nuk largohet nga sporti”, u shpreh Kokonelidze.
KOHA JONË SONDAZH

