E shohin favorit, por Guardiola frenon: Adoleshentë në Champions
Kryeson në Premier Ligë dhe shumë pranë kualifikimit në çerekfinalet e Champions. Manchester City nuk mund të kishte bërë më mirë deri në këtë moment të sezonit dhe për shumë njerëz është mes favoritëve në turneun më të rëndësishëm të futbollit europian për klube.
Por nuk mendon kështu, Pep Guardiola. Si fillim, tekniku spanjoll nuk është i sigurt edhe për kualfikimin në prag të ndeshjes së kthimit kundër Schalke edhe pse fitorja 3-2 në sfidën e parë i jep formacionit anglez qetësinë e duhur.

Pastaj kur e pyesin për trofeun e Champions, Guardiola as që do ta mendojë. “Mund të ndodhë ende gjithçka. Për këtë arsye na duhet një ndeshje perfekte, pasi në ndeshjen e vajtjes ishim me të vërtetë me fat. Nuk jemi favoritë. E kam thënë shumë herë. Nuk kemi ekspriencë në Champions dhe në këtë kompeticion mund të them se jemi adoleshentë”, ishin këto fjalët e Guardiolës, që duhet t’i bëjë llogaritë, pa De Bruyne, Fernandinho dhe Otamendi.

Por Manchester City ka shumë alternativa dhe jo më kot të gjitha parashikimet presin vetëm fitoren e skuadrës angleze. Por nuk ndjehet i dorëzuar trajneri i Schalke, Domenico Tedesco. Tekniku e di që skuadra e tij ka pak shanse, por do t’i luajë ato deri në fund për të vazhduar rrugën në Champions.

“Sigurisht që jemi “outsider”, por sipas meje kemi ende një mundësi. Është e qartë, që për t’ia dalë duhet të zhvillojmë një ndeshje perfekte. Do të jetë shumë e vështirë, por ende nuk jemi dorëzuar”, ka thënë trajneri Schalkes, vështirësitë e të cilit rriten ndjeshëm, duke parë mungesat e shumta në prag të përballjes kundër Manchester City.
KOHA JONË SONDAZH

