Ergys Kaçe drejt Udineses, “e sponsorizon” Gianni de Biasi
Futbollistët shqiptarë, që preferohen nga ekipet italiane, sidomos në Serie A, janë të shumtë pas përfundimit të këtij sezoni. Sot është përfolur për mesfushorin e PAOK-ut dhe të Kombëtares së Shqipërisë, Ergys Kaçe. Udinese, klub tw cilin e ka drejtuar mw herët Gianni de Biasi, interesohet për shërbimet e 22-vjeçarit, që kushton rreth 2 milionë euro, ndërsa Xhani De Biazi zbulon se ai është gati për kalimin në Serie A. Sipas trajnerit kuqezi, i cili është kontaktuar nga “mondoudinese.it”, Kaçe është lojtar i denjë për Serie A dhe kryesisht për skuadra, si Udinese, Sampdoria dhe Fiorentina. Tekniku italian, që njeh lojtarin prej 3 vitesh, thotë se Kaçe ka qetësi dhe klas që e kanë pak lojtarë të së njëjtës moshë me të. – “Diçka po lëviz në merkaton e Udineses. Skuadra e Gianpaolo Pozzo po vëzhgon me interes shqiptarin, me qëllim që ta transferojë në Udine. Lojtar me mjaft peshë dhe që aktualisht është pjesë e PAOK-ut. Bëhet fjalë për 22-vjeçarin Ergys Kaçe, që ka eksperiencë edhe me Kombëtaren. Ai ka luajtur edhe në Europë me fanellën e skuadrës së tij, ku është ndeshur me Fiorentinën dhe që prej dy vitesh vesh rregullisht fanellën e Kombëtares së Shqipërisë që drejtohet nga Xhani De Biazi”, raporton “mondoudinese.it”. Ergys Kaçe shënoi golin e fitores për kuqezinjtë në fitoren e fundit përballë Francës, në miqësoren e 13 qershorit, që u zhvillua në Elbasan. – “‘Kaçe është lojtar me personalitet të madh. Pavarësisht nga mosha e tij, ai ka akumuluar eksperiencë të madhe me ekipin kombëtar, në ndeshjet ndërkombëtare dhe me ekipin e tij aktual. Preferon të luajë si mesfushor i avancuar dhe ka klas të pastër dhe gjuajtje të shkëlqyer nga larg. Ka një vizion të madh të të luajturit për moshën që ka”. I pyetur nëse ky lojtar mund të luajë në futbollin italian, De Biazi përgjigjet: “Sipas meje, po. Me qetësinë e tij mund të luajë në skuadra si Sampdoria, Udineze dhe Fiorentina’”, përfundon trajneri De Biazi. Janë edhe disa lojtarë të tjerë kuqezi, si Shkëlzen Gashi dhe Taulant Xhaka, po ashtu me shanse të mëdha që gjatë verës të kalojnë në Seria A, teksa kërkohen nga Fiorentina, apo Bekim Balaj për të cilin interesohet së fundmi Lazio.
KOHA JONË SONDAZH

