Fabregas përlot të gjithë me mesazhin për Reyes pas aksidentit tragjik
Disa foto, një mesazh i gjatë. Cesc Farregas e ka kujtuar Antonio Reyes , në një mënyrë shumë prekëse. Futbollisti i njohur e ka përjetuar shumë rëndë tragjedinë e sotme, ku fatkeqësisht një nga miqtë e tij më të mirë në fushë dhe jashtë saj do të ndërronte jetë pas një aksidenti tragjik. Mesazhi i tij është shumë prekës duke treguar nga hapat e parë në karrierë deri te biseda e dy ditëve më parë.

“Miku im i parë i madh në botën e futbollit profesionist, shoku im i dhomës, i cili gjithmonë donte të flinte me ajër të kondicionuar edhe në -10 gradë. Një djalë i përulur, i cili gjithmonë ka pasur një buzëqeshje në fytyrë, një futbollist i madh dhe një person i madh. Sot nuk mund të zgjohesha në një mënyrë më të keqe. Nuk do ta harroj kurrë kur ti dhe familja jote më mirëpritët në shtëpinë tënde, në Krishtlindjet e para në Angli, kur isha vetëm dhe 16 vjeç. Unë kurrë nuk do të harroj ndeshjet tona të futbollit, të tenisit në palestër para dhe pas stërvitjeve.
Lidhja jonë në fushën e lojës ishte gjithashtu e veçantë, pasi ishte gjithmonë e lehtë për të gjetur njëri-tjetrin, atje ku ti bëje diferencën. Gjithmonë kam thënë ke qenë një nga talentet më të mëdha të futbollit tonë dhe e di që nuk kam gabuar. Dy ditë më parë fola për ty në një intervistë, mund të ketë qenë një shenjë, kush e di. Kurrë nuk do t’ju harroj, kurrë nuk do harrojmë. Gjithmonë në zemrat tona. Pusho në paqe Jose Antonio Reyes. Të dua. Cesc”.
/R.Lika-Koha Jone/



KOHA JONË SONDAZH

