Goditjet e para, Gërçaliu e Smajli vishen bardheblu
Nga 4 përforcime të paralajmëruara nga Drejtori Sportiv i bardhebluve Devi Muka, skuadra e Tiranës prezantoi dje vetëm dy prej tyre, Ronald Gërçaliun dhe Dritan Smajli. Kjo jo për shkak se 24 herë kampionët nuk kanë shënjestruar ende kandidatë potencial për të përforcuar kontigjentin bardheblu, apo edhe për arsye të mos gjetjes së akordit financiar me të përzgjedhurit. Debatik Curri, Erion Dushku dhe Gilman Lika, janë tre futbollistët me të cilët drejtuesit e Tiranës kanë vijuar në mënyrë intensive takimet dhe diskutimet për gjetjen e marrëveshjes financiare, pasi të tre këta futbolllistë më parë kanë marrë pëlqimin e tyre për t’u aktivizuar me 24 herë kampionët. Veç takimit të zhvilluar në kryeqytet gjatë fundjavës, mes Presidentit të Tiranës Refik Halili dhe mbrojtësit Debatik Curri, kanë vijuar komunikimet mes tyre edhe nëpërmjet telefonit, teksa të enjten në mbrëmje ishte dhe diskutimi i fundit nëpërmjet të cilit nuk u arrit ujdia. Duke e konsideruar mbrojtësin nga Kosova si një futbollist të vlefshëm, por jo të domosdoshëm, apo pazëvendësueshëm, bardheblutë i kanë ofruar Currit një kontratë të reduktuar në mënyrë të ndjeshme nga ajo e një sezoni më parë, e cila nuk është pranuar ende nga lojtari 30-vjeçar. Ndërkohë, konsiderohet vetëm formalitet zyrtarizimi i futbollistit të Laçit, Olsi Teqja, i cili mësohet se e ka nënshkruar kontratën e ofruar nga bardheblutë, si dhe i ish-mbrojtësit bardheblu, Erion Dushku, i cili është edhe i preferuari i dytë i trajnerit Shkëlqim Muça. E lëkundur mbetet vetëm tratativa me shkodranin Gilman Lika. Ky i fundit u përfol gjatë merkatos së dimrit, por për shkak të “divorcit” të mëparshëm me bardheblutë, Presidenti Halili deklaroi asaj kohe se “nuk kishte ndërmend t’i shkonte mbrapa atij lojtari”. Megjithatë, pas përfundimit të këtij sezoni dhe gjithçka ka dhënë Gilman Lika për Tiranën, me ardhjen e merkatos së verës gjërat kanë ndryshuar. Në valle është edhe Partizani, si dhe vetë Vllaznia që nuk ka ndërmend të lërë atë të lirë. Trajneri Shkëlqim Muçka ka gjithashtu idetë e tij për lojtarët që i duhen me qëllim të fitojë titullin kampion sezonin tjetër. Tirana nuk merr pjesë në Kupat e Europës këtë vit, kështu që koha pret dhe rindërtimi i një skuadre me ambicie të mëdha ka nisur që dje, me prezantimin e dy blerjeve të para, Gërçaliu e Smajli.
KOHA JONË SONDAZH

