I shpëtoi për një “qime” vdekjes, Rossi: Zarco është i çmendur, mu duk si hije helikopteri!
Një incident i rëndë u regjistrua sot në pistën “Red Bull” të Austrisë, në Moto GP, ku piloti francez Johann Zarco u përplas me italianin Franco Morbidelli, ndërsa të dy pilotët për fat të mirë ia hodhën pa pasoja serioze. Me shumë fat nga ky incident ishte edhe piloti 41-vjeçar italian Valentino Rossi, të cilit i kaluan para syve motorët e Zarco dhe Morbidellit.
Në fund të garës, Rossi nuk ia kurseu sulmin 30-vjeçarit francez Zarco, të cilin e akuzoi se frenoi qëllimisht para Morbidellit, për të mos lejuar që ky i fundit ta parakalojë.
“Kjo që ndodhi ishte e qartë, pasi nuk donte që të parakalohej dhe i frenoi para. Është një i çmendur dhe nuk e ka herën e parë që bën gjëra të tilla. Sot ishte vërtetë shumë e vështirë dhe jam akoma pak i shokuar. Pashë të vinte drejt meje hija dhe kujtova se ishte e helikopterit, por të them të drejtën pata shumë frikë, kur pashë motorët që më fluturuan ngjitur.
Unë jam dakord që duhet të ketë agresivitet, por kjo që po ndodh është të mos tregosh respekt për kundërshtarët. Ky është një sport shumë i rrezikshëm dhe do kujdes, por Zarco nuk është i ri në episode të tilla. Edhe sot Morbidelli nuk kishte çfarë të bënte, pasi ai i frenoi fort përpara”, u shpreh italiani.
KOHA JONË SONDAZH

