Interesohet Barcelona, lojtari i Bayer Leverkusen thotë se ndihet i nderuar
Mesfushori i Bayer Leverkusen, Julian Brandt, ndihet i nderuar nga interesimi i Barcelonës për të, megjithatë thotë se kjo gjë nuk do ta bëjë të shpërqendrohet.
Leverkusen nuk arriti të kualifikohej në Champions League pas katër sezoneve radhazi në kompeticionin kryesor dhe kjo mungesë e lidhi emrin e lojtarit me disa klube të mëdhenj, kryesisht me Bayern Munih, po Brandt preferoi të qëndronte në BayArena.
Tani ai është përmendur si një objektiv i mundshëm i Barcelonës për merkaton e janarit.
“Ky është një nder për mua, nuk e mohoj”, thotë Brand për Omnisport. “Është gjithmonë një tregues që arritjet e tua si lojtar nuk kanë shkuar kot”.
Lojtari i ri shton se një interesim i tillë mund të ndikojë në përqendrimin në fushë, por ai nuk do të lejojë të ndodhë një gjë e tillë.
“Nëse fluturon mbi re e mendon ‘unë jam shumë i mirë sepse X klub më dëshiron’, kjo është e gabuar, sepse niveli ka për të rënë”.
KOHA JONË SONDAZH

