Java e parafundit, Tirana dhe Partizani “betejë” në distancë për Europën
Kukësi-Tirana është sfida kryesore në javën e parafundit të kampionatit. Në 90 minutëshin që mund të vendosë matematikisht për titullin kampion dhe mbijetesën, sfida që tërheq vëmendjen është pikërisht ajo e “Zeqir Ymerit”, ku luajnë kampionët e dimrit me 24 herë kampionët. Objektivi është i njëjtë për të dyja skuadrat, një vend në Europa League nëpërmjet kampionatit, edhe pse verilindorët kanë përpara edhe Kupën e Shqipërisë për të synuar të marrin një trofe këtë edicion. Kukësi pritet të vijë në këtë sfidë pa dyshen e mbrojtjes Smajli-Dushku të cilët sipas klubit kanë probleme shëndetësore. Ndërkohë tek Tirana janë rikthyer nga dëmtimi Curri dhe Ndikumana, prezenca e të cilëve që nga minuta e parë në këtë 90 minutësh të rëndësishëm është në dyshim.
Ndërkohë në Korçë, Skënderbeu mund të mbyllë matematikisht çështjen titull, në një sfidë që do të jetë e para e kësaj jave. Ndryshe nga takimet e tjera, kryesuesit e presin Flamurtarin të shtunën në orën 19:30 për ta kthyer në festë fundin e takimit. Josa i ka kërkuar të tijve të ulin dozat e euforisë, edhe pse përballë do të kenë një skuadër të mbushur me të rinj, të cilët si objektiv kanë afirmimin e tyre në skuadrën e parë.
Ndërkohë e diela do të sjellë përballjen direkte midis Teutës dhe Apolonisë në garën për mbijetesë. Në “Niko Dovana” luhet finalja e sezonit për të dyja skuadrat, teksa Djemtë e Detit duhet të fitojnë për të evituar cdo surprizë. Trajneri Begeja kishte disa mungesa javën e kaluar me Kukësin, teksa pret që grupi të kompletohet në këtë 90 minutësh. Tek Apolonia mungesa e vetme për Mërgjyshin është sulmuesi Rajkovic pas kartonit të verdhë të marrë ndaj Elbasanit. Në “Qemal Stafa”, Partizani pret Vllazninë që këtë sezon i ka surprizuar jo pak. 15 herë kampionët kanë në këmbët e tyre pjesëmarrjen në Europa League, teksa duhet të evitojnë surprizën e radhës dy javë përpara fundit. Ndërkohë në Laç vendasit presin Elbasanin e rënë në kategorinë e parë, me mendjen për të përgatitur më së miri finalen e Kupës me Kukësin.
Shpëtim Duro: Europa, suksesi jonë
Partizani synon Europën por për të zyrtarizuar këtë arritje duhet të kalojë edhe dy testet e fundit. Ndalesa e radhës është ajo ndaj Vllaznisë, skuadër që gjatë këtij sezoni i ka shkaktuar dy humbje Partizanit dhe trajneri Shpëtim Duro e pranon që shkodranët kanë një grup cilësor. – Shpëtim Duro: “Është e vërtetë që kemi humbur dy ndeshje me Vllazninë që kanë ndikuar në sezonin tonë. Vllaznia është një skuadër që luan mirë dhe ka lojtarë cilësorë të cilët mund të luajnë në çdo ekip shqiptar”.
Duro e pranon se të gjithë lojtarët i ka në dispozicion për këtë ndeshje, ndërsa konfirmon se arritja në zonën europiane mund të jetë suksesi i vërtetë i këtij sezoni. – “Europa ishte objektivi fillestar dhe do të ishte një arritje e madhe për këtë kub pas kalvarit të gjatë të vuajtjeve që ka kaluar gjatë dekadës së fundit”.
Duke lënë të hapur çështjen Rrahmani për të cilin kanë nisur të qarkullojnë zëra për një largim të mundshëm, Duro shtoi se dëshiron që grupi aktual të mos ndryshojë as për sezonin e ardhshëm. “Skuadra e vitit tjetër është kjo aktualja. Unë dua që të qëndrojnë të gjithë futbollistët e grupit që kam tani”. Por cili ishte aspekti që bëri diferencën mes Skënderbeut dhe Partizanit të Duros? “Çelësi i suksesit për Skënderbeun është eksperienca dhe këtë e treguan në dy ndeshjet vendimtare ndaj Kukësit e Tiranës. Këtë synoj të arrij edhe unë në të ardhmen me Partizanin.”
KOHA JONË SONDAZH

