Jo vetëm Dibala dhe Ikardi, ja yjet që rrezikojnë të mos luajnë në Kupën e Botës
Në Kupën e Botës rrezikojnë që të mungojnë shumë yje të futbollit botëror. Sigurisht nuk po flasim për Italinë, pasi Bufon, Bonuçi, Kielini dhe shumë futbollistë të tjerë nuk do të jenë për shkak se janë eliminuar, por ka dhe të tjerë që mund të mungojnë për arsye të tjera. Le ta nisim nga Seria A: Dibala dhe Ikardi nuk janë përfshirë në listën e Sampaolit në ndeshjen ndaj Italisë dhe Spanjës. Të dy janë në rrezik të madh për të munguar në “Rusi 2018” për shkak të konkurrencës së lartë. Për këtë shkak në dyshim të madh është edhe ylli i PSG, Pastore. Sampaoli ka vendosur për ta ndërtuar kombëtaren e tij duke u mbështetur te Mesi, Aguero, Di Maria dhe disa futbollistë të tjerë.
Duke qëndruar në Amerikën e Jugut, mund të mbetet jashtë botërorit edhe David Luiz. Mbrojtësi ka shfaqur shumë probleme me dëmtimet dhe Konten. Për momentin në hierarkinë e Tites, ai mbetet pas Tiago Silvës, Miranda dhe Markuinjos. Te “Seleçao” mbetet në dyshim edhe Danilo, i cili nuk po gjen hapësira te Siti. Në listën e mungesave të mëdha është padyshim edhe Ibrahimoviç, i cili me transferimin në Amerikë, duket se ka “firmosur” mungesën në këtë event. Te Angli ndërkohë mund të mbetet në shtëpi Geri Kahill, i cili nuk është pjesë e listës së Sauthgejt në grumbullimin e fundit. Rrezikon përjashtimin edhe Starrixh, i cili po shfaq probleme fizike në javët e fundit.

Gjermania rrezikon që të mbetet pa shumë yje. Nojer ku është? Portieri i Bajernit ka luajtur këtë sezon vetëm 3 ndeshje dhe vështirë të rikuperohet nga dëmtimi. Së bashku me kapitenin e Gjermanisë është në rrezik edhe Rojs, këtë herë për probleme fizike. Një rast i ngjashëm është edhe më Getcen, i cili nuk ka arritur që të gjejë formën e tij më të mirë. Dhe kur e mendon, ishte pikërisht ai që ka vendosur finalen e Kupës së Botës katër vite më parë.
Për Portugalinë ndërkohë duhet pasur kujdes për Nanin, pasur numri 7 pas një sezoni të vështirë te Lacio, rrezikon që të mos marrë një ftesë. E njëjta gjë vlen dhe për Renato Sançez: Dy vite më parë ishte i riu më i mirë, ndërkohë që tashmë nuk gjen vend as te Suonsi. Një listë e gjatë kjo që mund t’i bëjnë shoqëri Bufon me shokë. Ka mbetur shumë pak kohë që këta futbollistë të njohur të tregojnë vlerat e tyre për të mos qëndruar në shtëpi. /Rozalb Lika-Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

