Julian Ahmataj nuk ka dyshime: Përballë Apolonisë, Teuta siguron mbijetesën
Eksperienca e Teutës do të bëjë diferencën me përplasjen direkte me Apoloninë, në ndeshjen që do të luhet në fundjavë, në “Niko Dovana”. Nga kjo ndeshje varet mbijetesa e Djemve të Detit, të cilët duhet të shmangin medoemos humbjen me Apoloninë. Kur mbeten edhe dy javë nga mbyllja e kampionatit, Teuita ndodhet një pikë para Apolonisë dhe i duhet të fitojë patjetër, pasi ndeshjen e fundit do ta luajë në transfertë. Por i bindur tek mbijetesa është veterani i Teutës Julian Ahmataj, i cili edhe pse s’do të jetë vetë në fushë nuk e vë në diskutim mbijetesën e formacionit të Gentian Begejës. – “Jam i bindur se Teuta do ta sigurojë mbijetesën një javë para fundit. Pavarësisht rezultateve negative, lojërat kanë ardhur në ngritje kështu që edhe rezultati në sfidën direkte nuk do të mungojë. Është momenti që edhe lojtarët me eksperiencë të marrin më shumë përsipër dhe ta tregojnë cilësitë e tyre”. Duke analizuar ecurinë e Teutës në këtë kampionat, 36-vjeçari elbasanas kujton se situata shkoi deri në këtë për shkak të episodeve të veçanta gjatë sezonit. – “Ndryshimi erdhi pas merkatos së janarit, pasi Apolonia u përforcua ndërsa te Teuta ndoshta u mendua para kohe se mbijetesa ishte e sigurtë. Kemi lënë disa pikë në ndeshje të caktuara që po t’i kishim marrë sot nuk do të flisnim për mbijetesën”. Edhe pse e ka mbyllur sezonin për arsye dëmtimi, Ahmataj po vijon fazën e riaftësimit, që do të thotë se ende nuk ka vendosur t’i varë këpucët në gozhdë. – “Kur ke një jetë që luan futboll është e vështirë të heqësh dorë. Edhe kur kam qenë i dëmtuar mezi kam pritur të kthehem në fushën e blertë. Nuk e di çfarë do të bëj për të ardhmen, s’e kam menduar ende”. Gjatë karrierës së tij 18-vjeçare në elitën e futbollit shqiptar, Julian Ahmataj ka luajtur me Elbasanin, Bylisin, Teutën, Dinamon, Partizanin, Tiranën dhe Flamurtarin.
KOHA JONË SONDAZH

