Kampioni i Botës: Dikur më prisnin, sot politikanët s’pyesin a kam bukë të ha
Ish-peshëngritësi Ilir Suli, ka bërë një rrëfim emocional mbi jetën e tij, duke thënë se 10 vjet më parë ishte krenaria e kombit, ndërsa tani nuk e njeh askush. Ai më tej tregon se si nga maja e Olimpit ra në fund të oqeanit. ”Jetoj me pensionin e nënës. Besojeni apo jo kjo është e vërteta! Nuk e kam një punë, sepse nuk e kam një shkollë. Ato punë që gjej janë thjesht të përkohshme”, ka thënë ai ndër të tjera.
Rrëfimi i plotë
Unë jam Ilir Suli. Dhjetë vjet më parë ata që do të njihnin këtë emër do të ishin shumica, sot dyshoj. Unë kam qenë nënkampion bote në peshëngritje. Ka qenë një kohë që kam qenë krenaria e këtij kombi. Por jeta në këtë vend e solli që sot, unë vetëm si nënkampion bote të mos dukem.
Sigurisht që unë nuk jam perfekt, bile jam larg saj. Jam njeri problematik edhe me vese, por ama shikojini pak duart e mia. Të gjitha këto medalje janë vite pune, stërvitje, lodhje dhe sakrifice. Të gjitha këto kupat janë brohoritje, përgëzime, përqafime, puthje e duartrokitje biles edhe politikanësh. Ku janë sot?!
Falë gabimeve të mia dhe kokëfortësisë që më karakterizon një ditë rashë nga maja e Olimpit në fund të oqeanit! Ishte rënie spektakolare nga e cila s’kam arritur ta marr veten as sot.
Dikur kam dëgjuar një shprehje që më ka mbetur në mendje: “Nëse rrëzohesh 7 herë në jetë, duhet të ngrihesh 8.”. Vetëm të ketë qenë kampion bote në peshëngritje ai zotëria, se unë që jam nënkampion s’po e ngrejë dot herën e 8-të.
KOHA JONË SONDAZH

