Kapiteni Nderim Nexhipi: Ky Partizan, i ngritur për titull
Partizani vijon në Shqipëri grumbullimin dhe fazën përgatitore në vigjilje të pjesëmarrjes në Europa League. Programi i të kuqve vijon të jetë i ngjeshur, me dy seanca stërvitore në ditë teksa grupi duket i plotë. Kapiteni i 15 herë kampionëve Nderim Nexhipi bën analizën e skuadrës në ditët e para, duke lëshuar sfidën për sezonin e ri, ku kryeqytetasit do të hyjnë me ambicien për të fituar titullin kampion.
-“Ekipi duket mirë dhe po punojmë që të përgatitemi për pjesëmarrjen në Europë. Ekipi është ndërtuar me kujdes dhe do të synojmë titullin kampion për vitin e ardhshëm.”
Sigurisht që merita kryesore e drejtuesve të Partizanit është që ruajtën të paprekur grupin e futbollistëve që mbyllën sezonin e kaluar. Largimet e Rrahmanit dhe Cuculit janë mbuluar me afrimin e Ditmar Bicajt në mbrojtje por edhe në sulm të Sebino Plaku. Besimi i Nexhipit për të synuar titullin vjen pikërisht nga ky fakt. – “Na janë larguar dy futbollistë por kemi bërë afrime cilësore. Kemi ruajtur grupin dhe me afrimet e bëra jemi një skuadër me më shumë kualitet.”
Partizani vijon fazën përgatitore në vend, teksa me ekipin është bashkuar edhe Fejzullahu, pas aventurës së suksesshme me ekipin kombëtar në miqësoren me Francën. Të mërkurën të kuqtë do të zhvillojnë testin e parë miqësor në këtë fazë përgatitore me Renovën e Tetovës, në Ohër të Maqedonisë.
KOHA JONË SONDAZH

