Kategoria Superiore nuk ndalet, ndeshjet e javës së 27-të luhen në dy ditë
Kategoria Superiore nuk do të ndalet pavarësisht nga situata e coronavirusit që ka paralelizuar jetën normale në Shqipëri. Në fundjavë do të luhet edhe java e 27-të, në dy ditë, të premten dhe të shtunën. Të gjitha ndeshjet do të luhen në orën 14:00 dhe do të jenë me dyer të mbyllura.
Fillimisht do të zbresë në fushë ekipi kryesues, Tirana, që do të të luajë në transfertë ndaj Bylis. Ballshiotët do të provojnë që të bëhen të parët që do të ndalin bardheblutë pas shumë javësh. Në të njëjtën ditë do të luajë edhe Kukësi, që pret Luftëtarin. Verilindorët do të luajnë shpresat e fundit për titullin kampion. Shehi deri më tani ende nuk ka mundur që të shijojë fitoren e parë.
Të shtunën ndërkohë spikat dueli mes Partizanit dhe Skënderbeut. Të kuqtë janë në krizë rezultatesh, ndërkohë që korçarët gëzojnë një formë fantastike. Laçi-Teuta është një tjetër ndeshje interesante, me të dyja ekipet që synojnë një vend në zonën europiane. Flamurtari do të luajë ndaj Vllaznisë të shtunën, teksa vlonjatët janë një ekip që nuk duhet nënvlerësuar. /R.Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

