Khedira: Juventusi, zgjedhja e duhur
Sami Khedira foli për herë të parë si një lojtar i Juventusit nga grumbullimi i Kombëtares Gjermane. Mesfushori, i cili zgjodhi pikërisht bardhezinjtë për të vijuar karrierën pas përfundimit të kontratës me Realin e Madridit, në një intervistë për mediat u shpreh shumë lumtur që gjatë 4 viteve të ardhshme do të jetë pjesë e kampionëve të Italisë. 28-vjecari la Spanjën pasi luajti për 5 sezone me Los Blancos duke zhvilluar në total 161 ndeshje gjatë të cilave shënoi dhe 9 gola. Juventusi është skuadra e tretë në karrierën e Khediras pas Realit dhe Stuttgartit, klub tek i cili mesfushori gjerman hodhi hapat e parë në futbollin profesionist.
“Jam shumë i kënaqur me zgjedhjen time. Juventusi besoi shumë tek unë dhe për këtë arsye vendosa të luaj për bardhezinjtë. Jam shumë i lumtur që do të nis një aventurë të re në Itali edhe pse nuk mund t’i harroj 5 vitet që kalova në Madrid”.
Në vijim Khedira bëri me dije se sezoni i fundit te Reali i Madridit ka qenë një nga më të vështirët në karrierën e tij të deritanishme. Vetëm 17 ndeshje zhvilloi në total në të gjitha kompeticionet mesfushori i Kombëtares Gjermane me Los Blancos në sezonin 2014-2015.
“Nuk ishte e lehtë për mua të bëja hapa përpara në sezonin që sapo u mbyll, por futbolli kështu e ka dhe për një futbollist përvec momenteve të bukura do të ketë edhe momente të vështira. Nuk dua të qahem apo të ankohem për atë që më ka ndodhur por nuk mund të qëndroj pa nënvizuar faktin se ky i fundit ka qenë sezoni më i keq në karrierën time. Kam qenë në formë por asnjëherë nuk më është dhënë mundësia për të luajtur. Ky vit ka qenë i vështirë për mua edhe sepse nuk dija se ku do të ishte e ardhmja ime, por tani që gjithcka është zgjidhur jam gati të ndihmojë Juventusin me paraqitjet e mia në fushë”.
KOHA JONË SONDAZH

