Korça nis festën e madhe, Skënderbeu një hap larg titullit të pestë radhazi
Laçi ndonëse fitoi me Vllazninë në Shkodër, 1-0 falë golit të Xhejms, dhe dy javë para përfundimit të kampionatit do ta ketë të vështirë të futet në zonën e katër ekipeve më të mira, për të pretenduar një biletë europiane nga kampionati. Kjo për faktin se Partizani dhe Kukësi fituan gjithashtu në transfertë dhe janë distancuar nga ekipi finalist i Kupës së Shqipërisë. Megjithatë, përballë Kukësit në finalen e Kupës, Laçi ka një shans për të arritur objektivin. Dy ekipet kryeqytetase, Tirana dhe Partizani duhet të sfidojnë një nga dy ekipet e veriut, finaliste të kupës, për të prerë secila nga një biletë në Europë League. Skënderbeu i Korçës, në përballjen më të rëndësishme të javës së 34-ët, me diferencën e krijuar pavarësisht përballjes me Tiranën, konsiderohet disi më i sigurtë drejt titullit të pestë radhazi kampion si dhe pjesëmarrjes në Champions League. Ndeshja mes Tiranës dhe Skënderbeut, e fundit e javës së 34-ët, që u zhvillua në “Qemal Stafa” dhuroi emocione. Pjesa e parë përfundoi pa gola, 0-0. Në pjesën e dytë badheblutë e kërkuan më tepër fitoren, për të mos rrezikuar të paktën pjesëmarrjen në Europë. Por sfida mbyllet pa gola dhe rezultati ndihmon Skënderbeun, që dy javë para se të mbyllet gara ndodhet katër pikë larg vendit të dytë dhe i duhet vetëm një fitore për t’u shpallur matematikisht kampion. Java që vjen sjell përplasje mes Kukësit e Tiranës.
Shpëtim Duro: Fitore, për Europën
Partizani fitoi 1-0 në Vlorë dhe mban gjallë shanset për një biletë në Europë. Në ndeshje të tilla, kur luhet fati i sezonit, pikët maksimale janë ato që kanë më shumë rëndësi. Trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, në përfundim të takimit me Flamurtarin, që u vendos nga goli i Mazrekaj në pjesën e parë theksoi: – “Janë ndeshje të vështira në interpretim, sepse luanim sezonin. Dominuam në pjesën e parë por nuk e mbyllëm ndeshjen. Tensioni dhe përgjegjësia bëri që skuadra të tërhiqej. Na vuri në vështirësi Flamurtari. Më gëzon fitorja më shumë, ne kishim dhe shumë mungesa”. Zv.trajneri i Flamurtarit, Luan Birçe edhe pas kësaj ndeshjeje kujtoi se kuqezinjtë në këtë fund kampionati po mendojnë më shumë për aktivizimin e elementit të ri. – “Ishte një humbje normale. Nuk kishim objektiv rezultatin, e kemi deklaruar se synimi ynë ka qenë aktivizimi i lojtarëve të rinj, për t’i përgatitur për të ardhmen. Aktivizuam dy lojtarë të U-16, lojtarët e rinj përbënin 40% të organikës”.
Radanoviç, fitorja e dytë në Durrës
Kukësi nën drejtimin e një trajneri të ri, serbit Radanoviç i gëzohet fitores së dytë radhazi. Fitorja ndaj Teutës, 2-3, për trajnerin e verilindorëve, kishte vlera dhe për faktin se e ka bindur loja e ekipit. -“Ndeshja ishte shumë e mirë për Kukësin, përjashto minutat e fundit të çdo pjese, ku Teuta realizoi dhe kërkoi që të barazonte. Megjithatë morëm 3 pikët dhe kjo ishte më e rëndësishmja. Më pyesni a jemi të varur nga Pejiç? Ai është një lojtar i rëndësishëm për ne, dhe sot shënoi 3 herë dhe tregoi se di të bëjë diferencën,” – theksoi Radanoviç. I kënaqur me lojën por jo me rezultatin e gjykimin u shfaq drejtori teknik i Teutës, Ilir Biturku që theksoi se skuadra e tij luajti si e barabartë ndaj një prej formacioneve më të mira të Superiores. Por shtoi se skuadra durrsake u penalizua nga vendimet e gjyqtarit Laver Alla, që akordoi një 11-metërsh në favor të Kukësit. – “Kam pretendimet e mia, bashkë me stafin për gjykimin. Kam përshtypjen se Teuta po luan futboll të pastër dhe pse është situatë e vështirë po krijon barazi dhe me kundërshtarë që qëndrojnë më lart. Ndeshjen e ardhshme e kemi me Apoloninë dhe jam i sigurtë se do të zhvillojmë një ndeshje të bukur dhe do të arrijmë të fitojmë,” – u shpreh Biturku.
Apolonia “kërcënon” Teutën
Apolonia në fund të këtij sezoni po bën mrekullinë, pasi fitoi me Elbasanin 4-1 dhe ndodhet 1 pikë pas Teutës. Trajneri Artan Mërgjyshi thotë se kishte besuar te mbijetesa dhe javën e ardhshme do të ketë një sfidë direkte me Teutën. Me fitoren e fundit të Apolonisë ndaj Elbasanit, dhe humbjes së Teutës me Kukësin, duket se gara në fund është hapur. – “Ka qenë një ndeshje e tensionuar sidomos në pjesën e parë. Presionin e javës e kemi vuajtur dhe në fushë, përballë një kundërshtari që ishte i motivuar, pavarësisht se pa objektiva. Kishim tetë lojtarë me të verdhë dhe duhet të menaxhonim dhe nervat për të mos humbur elementë të rëndësishëm për sfidën me Teutën. E rëndësishme tani për ne mbetet ndeshja e javës së ardhshme” – theksoi Mërgjyshi. Apolonia këtë sezon ka fituar dy herë dhe ka humbur një sfidë në kampionat përballë Teutës, ndërsa e ka eliminuar skuadrën durrsake dhe në Kupën e Shqipërisë.
Aranit Muraçi
Kategoria Superiore
Java e 34-ët/ Sot
Tirana-Skënderbeu 0-0
Teuta-Kukësi 2-3
Shënues: Çota 45′ Peposhi 67′/ Pejiç 12′ 41′ 51′
Flamurtari-Partizani 0-1
Shënues: Mazrekaj 22′
Vllaznia-Laçi 0-1
Shënues: Xhejms 45’
Apolonia-Elbasani 4-1
Shënues: Ribaj 18’, 45’ 45+1’, Fili 76′/ Lamçja 22’
Klasifikimi
Skënderbeu 73
Kukësi 69
Tirana 68
Partizani 67
Laçi 63
Flamurtari 38
Vllaznia 35
Teuta 26
Apolonia 25
Elbasani 14
KOHA JONË SONDAZH

