Kosova bën gati projektin e ri, një tjetër stadium modern
Pas “Fadil Vokrrit”, në Kosovë pritet të nisë shpejt puna për të pasur një tjetër stadium modern. Kjo pasi gjatë ditës së djeshme është prezantuar në Mitrovicë projekti për rinovimin tërësor të stadiumit të qytetit, “Adem Jashari”.
Kanë qenë kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Baftiri, dhe Drejtori i Sporteve në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, Iber Alaj, që në një takim, kanë prezantuar edhe projektin e ri, që pritet të kushtojë rreth 12 milionë euro.
Bëhet fjalë për një rikonstruksion tërësor të stadiumit, ku do të shtohen parkingu publik, parkingu për zonën VIP dhe për mediat, tribuna për tifozët miq, hapësira rekreative dhe fusha të tjera përreth, etj., ndërsa impianti pritet të kalojë në kategorinë 4 të UEFA-s, për të pritur ndeshje ndërkombëtare.
Nga ana e saj, Komuna e Mitrovicës dha garancinë maksimale për mbështetjen e realizimit të këtij projekti me shpronësimin e hapësirave, etj., me qëllim që të nisë puna sa më shpejt, për stadiumin “Adem Jashari”.

KOHA JONË SONDAZH

