“Ku ka si Partizani!” Tafili dhe Kalari prezantohen nga trajnerit Starova
Partizani prezantoi sot dy blerje të fundit, për sezonin e ardhshëm futbollistik. Trajneri Starova prezantoi në zyrat e klubit të sapoardhurit, Alsid Tafili dhe Relando Kalari. Dy futbollistët në fjalë do të jenë pjesë e “demave”, në përpjekje për të përmbushur objektivin madhor që ka marrë përsipër “Bobi”, rikthimin e titullit kampion në kampin e kuq pas shumë vitesh mungesë. Alsid Tafili vjen nga Vllaznia, ndërsa Kalari nga Tirana.
Mesfushori shkodran, ndër më të dalluarit në radhët e kuqebluve në sezonin e shkuar, u shpreh i lumtur që bëhet pjesë e një skuadre me emër e traditë, sikurse është Partizani. “Jam i lumtur që bëhem pjesë e një skuadre si Partizani, me emër e histori të madhe, që synon maksimumin, titullin kampion, në sezonin e ardhshëm. Nuk dua të flas shumë, por të stërvitem mirë me shokët e rinj të skuadrës, të jap më të mirën në fushën e blertë dhe të shlyej besimin e drejtuesve të Partizanit,” – tha Tafili.
Për golin e tij në “Qemal Stafa” ndaj Partizanit, Tafili u tregua modest në përgjigje: “Ai gol ishte vërtet i bukur, i dha fitoren Vllaznisë dhe kaq. Nuk mund të them më shumë. Unë jam profesionist. Kam dhënë më të mirën me fanellën e skuadrës së qytetit tim, Vllazninë, të njëjtën gjë do të bëj edhe me Partizanin. Shpresoj që të na dalin sa më pak “mace të zeza” përpara në sezonin e ri, kur do të bëjmë gjithçka për të fituar titullin.”
Kalari nuk hezitoi të thoshte që, nëse do të shënonte ndaj Tiranës, skuadrës me të cilën luajti sezonin e shkuar, do të festonte: “Falënderoj drejtuesit e Partizanit që besuan tek unë dhe më bënë pjesë të projektit të tyre. Si lojtar shquhem për grintë, ndaj këtë tipar do ta shpalos edhe më shumë në derbet që do të kemi me Tiranën. Unë vërtet isha pjesë e bardhebluve sezonin e fundit, por tani kam kaluar në “llogore” tjetër. Këtu më besuan, atje jo, ndaj po të shënoja gol ndaj Tiranës, patjetër që do të festoja. Detyra ime është të jap më të mirën për skuadrën që përfaqësoj, ndaj këtë gjë do të bëj edhe me Partizanin.”
KOHA JONË SONDAZH

