Kukësi “samba” në Austri, ja cilët janë pesë brazilianët
Kukësi, në prag të ndeshjeve të Europa League ka pësuar ndryshime, teksa ka nisur edhe përgatitjet në Austri. Shumë lojtarë kanë ikur dhe shumë të tjerë janë afruar. Përveç futbollistëve, edhe stafi teknik ka pësuar ndryshime të shumta, të cilave nuk iu dihet ende fundi.
Për të veshur fanellën e verilindorëve këtë sezon duket se nuk është e thjeshtë. Futbollistët e afruar gjatë ditëve të fundit janë të shumtë në numër, ndërsa vetëm një pjesë e kosovarëve kanë firmosur. Por, ka të tjerë që presin “ok”-ejin e trajnerit Marcello Troisi për të ardhmen, edhe pse koha nuk premton për shumë eksperimente.
Bujë përbën lajmi për afrimin e pesë futbollistëve brazilianë. Lojtarët latinë të afruar dje në radhët e Kukësit janë në provë, ndërsa mësohet se luajnë në të tri repartet; mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Emrat e tyre janë: Filipe Moreno, Manuel Sousa, Jerar Cariola, Leonardo Granado, Julian Da Silva. Qëndrimi i tyre të skuadra e Gjicit varet nga paraqitja që do të bëjnë gjatë ndeshjeve miqësore.
KOHA JONË SONDAZH

