Lazio, Igli Tare tenton rikthimin e brazilianit Pato në Seria A
Lazio, pasi ka siguruar kualifikimin në Champions League, ka filluar të mendojë për të ardhmen dhe për merkaton. Me Miroslav Klosen që është bindur të qëndrojë edhe një vit tjetër, drejtori sportiv Igli Tare po studion merkaton amerikanojugore të sulmuesve dhe po vlerëson një emër në veçanti: Alexandre Pato.
Ish-talenti i Milanit është larguar nga Italia në 2013-ën, por duket se ka ndërmend të rikthehet aty ku ka lënë shumë miq dhe kujtime. San Paolo, klubi i tij aktual, ka bërë të ditur se ka marrë dy oferta nga skuadra italiane: njëra mund të jetë pikërisht Lazio, që synon të vërë në krah të Kloses dhe serbit Filip Djordjeviç një lojtar me nivel dhe eksperiencë ndërkombëtare.
Pato vjen nga dy sezone me ulje-ngritje mes Corinthiansit dhe San Paolos, me 25 gola të shënuar në 61 ndeshje me këtë të fundit. Në Romë nuk do të ishte titullar, por mund të përfaqësonte një alternativë bindëse për sulmin e Stefano Piolit.
KOHA JONË SONDAZH

