Lindin dyshime, Gundogan ka kaluar testet mjekësore me Barçën
E ardhmja e Ilkay Gundogan është gjithnjë më afër Barcelonës. Mediat katalanase dhe ato gjermane aludojnë se mesfushori i Borussias së Dortmundit i cili ka një kontratë me verdhezinjtë deri në vitin 2016 do ta vazhdojë karrierën pikërisht në Spanjë ku do të mbajë veshur fanellën e Barcës. Ato që i shtojnë akoma edhe më shumë spekullimet e mediave janë faktet. Të Hënën e kësaj jave Gundogan ndodhej në Barcelonë dhe ndoshta për të kryer vizitat mjekësore me skuadrën blaugrana, madje mesfushori me origjinë turke për të mos rënë në sy të mediave u transferua në Barcelonë pikërisht në ditën kur Barca ndodhej në Mynih duke u përgatitur për ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Championsit ndaj Bayernit.
Gundogan ka vendosur të mos rinovojë kontratën me Dortmundin prandaj edhe e ardhmja e tij pritet të jetë në një tjetër skuadër. I intervistuar nga gazeta gjermane Bild për një parakontratë me skuadrën katalanase 24-vjecari deklaroi se nuk ka asgjë për të thënë ,por në Spanjë dhe në Gjermani janë të bindur se futbollisti i përfaqësueses gjermane do të jetë lojtari më i ri i Barcelonës. Drejtuesit e Dortmundit për të mos e humbur me parametër zero pas një viti do të synojnë ta shesin në merkaton e ardhshme 24-vjecarin. Gjithsesi nëse zgjedh Barcelonën Gundogan duhet të presë Janarin e vitit 2016 për të veshur fanellën blaugrana pasi Barca e ka të ndaluar nga Fifa të veprojë në merkato gjatë verës së ardhshme. Nuk përjashtohet mundësia që Gundogan të zgjedhë të qëndrojë te Borussia edhe për një sezon dhe të transferohet pas 1 viti në Camp Nou me parametër zero, por ky opsion përjashtohet kategorikisht nga drejtuesit e Dortmundit të cilët kërkojnë minimalisht 20 milionë Euro për kartonin e mesfushorit. Përvec Barcelonës për Gundogan interesohen edhe shumë klube të tjera të mëdha si Bayern Munich, Manchester United, Manchester City dhe Arsenali.
KOHA JONË SONDAZH

