Louis Van Gaal, “arkitekti” i Manchesterit të ri
Louis Van Gaal deklaroi se po pret me padurim të ndërtojë Manchester Unitedin e ri gjatë merkatos së verës. Trajnerit i është vënë në dispozicion një fond prej 200 milionë eurosh për të formuar një ekip në gjendje të luftojë në katër fronte: kampionat, Champions League dhe në dy Kupat e Anglisë. Në një intervistë të dhënë për shtypin amerikan, Van Gaal deklaroi se i druhej momentit kur të tërhiqej nga futbolli, sepse aktiviteti e mbante të ri. “Yjet” e United janë aktualisht me pushime, por në korrik ata do të bashkohen për të nisur aventurën e sezonit të ri me një turne në SHBA. Van Gaal synon blerjen e sulmuesit të Totenhem, Harry Kane, dhe dy futbollistëve të Southamptonit, Nathaniel Clyne dhe Morgan Schneiderlin. “Pjesa që përgatit ekipin për sezonin është nga më të bukurat, – tha ai. – Duhet të ndërtosh një skuadër futbolli dhe kjo varet gjithmonë nga numri i futbollistëve të rinj që do të vijnë.” Gjithsesi, holandezi nuk i vë rëndësi miqësoreve të para që do të luajë me ekipe si Barcelona dhe Paris SG. “Eshtë disi e mërzitshme sepse rezultatet gjatë fazës përgatitore nuk janë të rëndësishme për trajnerin, por vetëm për tifozët, – shpjegoi Van Gaal. – Vitin e kaluar në SHBA fituam të gjitha miqësoret ndaj kundërshtarëve më në zë të Europës, por në ndeshjen e parë zyrtare u mposhtëm nga Sëansea. Uroj që sivjet të ndodhë e kundërta.” Vitin e kaluar, United luajti thuajse në të gjithë Amerikën, ndërsa sivjet skuadra e Van Gaal do të bëj më pak kilometra teksa do t’i zhvillojë ndeshjet miqësore në Seattle dhe San Francisco.“Mendoj se tani e kemi përmirësuar kalendarin, ndryshe nga vjet që bëmë shumë zig-zage. Sivjet do të grumbullohemi në dy qytet dhe mund të punojmë më mirë në aspektin fizik. Lëvizjet e shumta nuk na jepin mundësinë të bënim atë që duhet gjatë fazës përgatitore, të stërvitemi dy herë në vit,”– tha trajneri i United. Van Gaal, aktualisht 63 vjeç, është në vitin e tij të dytë të kontratës tre vjeçare në “Old Traford”. “Ajo që më pëlqen nga puna ime është të komunikoj me njerëz të rinj, – tha ai. – Unë mendoj se jam plakur tanimë dhe djemtë e ri me të cilët punoj më bëjnë edhe mua të ndihem i ri. Pjesa që më pëlqen më shumë në futboll është se kam mundësinë t’i flas lojtarëve të rinj të talentuar dhe kur ata përmirësohen në fushë unë kënaqem pa masë.”

