Low komenton turpërimin: E merituam eliminimin, marr përgjegjësinë
Gjermania është eliminuar me turp në Kupën e Botës, pasi u mposht në ndeshjen e fundit 2-0 nga Koreja e Jugut. Duke folur pas ndeshjes, trajneri Joachim Low, është shprehur se ekipi i tij e meritonte eliminimin.
“Në këtë moment është e vështirë ta thuash (arsyen e eliminimit). Zhgënjimi është i madh për eliminim. Ne nuk e meritonim që të fitonim sërish Kupën e Botës, nuk e meritonim që të shkonim në raundin e 1/8-ve.
Në dy ndeshjet e mëparshme, si ndaj Meksikës ashtu edhe ndaj Suedisë nuk luajtëm me dinamikën e duhur duke bërë shumë gabime. Sot krijuam shumë por nuk finalizuam, ndoshta na ka munguar edhe pak fati. Është shumë e vështirë të fitosh dy herë radhazi Kupën e Botës.
Kur morëm vesh se Suedia kishte kaluar në avantazh, dolëm përpara për të provuar gjithçka dhe rrezikuam gjithçka por nuk ia dolëm. Duhet ta analizojmë pse ndodhi. Por unë marr të gjitha përgjegjësitë e eliminimit”, u shpreh Low pas ndeshjes.
KOHA JONË SONDAZH

