Lushnja dhe Tërbuni drejt Superiores…por ç’presin në tre javët e fundit?
Kategorisë Superiore mund t’i bashkohet një emër i ri, pa shumë traditë në futbollin shqiptar, në fillim të sezonit të ri. Tërbuni i Pukës kryeson Grupin A në kuotën e 62-pikëve dhe mbetet pretendent për ta mbyllur kampionatin në vendin e parë, çka do të ishte historike. Në javën e 25-të pukjanët do të luajnë në shtëpi me Burrelin, në një sfidë ku tre pikët konsiderohen formalitet, ndonëse Tërbuni do të ketë mungesa. Formacioni i Elvis Plorit do të jetë me mendjen të përplasja direkte mes Bëslidhjes dhe Mamurrasit, që janë ndjekësit më të afërt. Në dy javët e fundit pukjanët do të përballen pikërisht me këta dy rivalë, ndaj për ta është shumë e rëndësishme që ta ruajnë dhe pse jo ta thellojnë diferencën, duke shpresuar te një barazim në takimin e Lezhës. Por në rast se fiton Mamurrasi ndeshjen direkte, edhe kjo skaudër do të shkruajë historinë me ngjitjen në Kategorinë e Parë, pasi ka një diferencë me kreun vetëm dy pikë. Pavarësisht rezultatit që do të prodhojë kjo javë, skuadra që do të ngjitet në Superiore do të përcaktohet në dy javët e fundit. Tërbuni viziton Mamurrasin për ta mbyllur kampionatin më sfidën në shtëpi, ndaj Beslidhjes.
Për Tërbunit i duhet të sfidojë edhe mungesat, disa prej të cilëve për shkak të incidenteve të ndodhura në javën e fundit me Ilirinë, do të ketë deri në fund të garës. Mungesat e konfirmuara për ndeshjen e radhës me Burrelin do jenë:
Giljen (i pezulluar me 1 ndeshje)
Kapiteni Mone (i pezulluar me 4 ndeshje)
Karakaci ( i pezulluar me 5 ndeshje )
Cutra (3 kartonë të verdhë)
Djarmanti ( i pezulluar)
Në Grupin B, situata është më e thjeshtë. Skuadra që do të luajë në Superiore sezonin e ardhshëm pritet të përcaktohet në përplasjen direkte Lushnja – Bylis, që do të luhet në javën e fundit. Renditja aktualisht kryesohet nga Lushnja me tre pikë më shumë se Bylis, që do të thotë se formacioni i Artan Banos, përveç faktorit fushë do të ketë në avantazh edhe diferencën prej tre pikësh. Pra lushnjarëve i intereson edhe një barazim për ta nxjerrë jashtë loje këtë kundërshtar. Para përplasjes në “Roza Haxhiut” mendohet se nuk do të gabojë asnjëra skuadër, ndonëse kalendarin më të vështirë e ka Lushnja që do të luajë me Sopotin brenda dhe me Butrintin në transfertë. Bylisi pret Butrintin dhe Naftëtarin, në ndeshjet e mbetura. Pra, vështirë ketë ndonjë gabim mes tyre, dhe gjithçka i mbetet përballjes direkte ku Lushnjës i duhet qoftë edhe një barazim.
KOHA JONË SONDAZH

