Martinez “driblon” Milanin, zgjedh Atletico Madrid
Jackson Martinez zgjedh Atleticon e Madridit për të vijuar karrierën. Los Colchoneros kanë arritur akordin me futbollistin dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizimi që 28-vjecari kolumbian të konsiderohet si sulmuesi më i ri i Atleticos. Sfumohen në këtë mënyrë shanset e Milanit për të firmosur me Martinez, madje kuqezinjtë edhe atëherë kur mendohej se ishin shumë pranë firmës me lojtarin nuk arritën të bindin dot futbollistin të transferohej në San Siro. Ishte menaxheri i Jackson Martinez, Luiz Henrique Pompeo ai që konfirmoi faktin se kolumbiani do të jetë pjesë e skuadrës së Diego Simeones sezonin e ardhshëm.
Atletico ka rënë dakort për t’i paguar Portos klauzolën e largimit të sulmuesit që kap shifrën e 35 milionë Eurove, ndërkohë që Martinez në ditët e ardhshme do të firmosë një kontratë 4-vjecare me Rojiblancos. I intervistuar nga mediat menaxheri i sulmuesit të Los Cafeteros u shpreh se gjithcka është mbyllur dhe 28-vjecari do të jetë pjesë e formacionit nga “Vicente Calderon”. Pompeo falenderoi Milanin për interesin e shfaqur ndaj klientit të tij teksa theksoi se Martinez ndihet shumë i nderuar që është kërkuar me insistim nga një klub i madh si kuqezinjtë.
Në vijim ai shtoi se Jackson preferoi ta vazhdonte karrierën në Spanjë dhe zgjodhi Atleticon e Madridit një skuadër që përmbush të gjitha kërkesat e tij. Te Los Colchoneros bomberi kolumbian do të zëvendësojë të larguarin Mario Mandzukic. Jackson Martinez është blerja e dytë e Atletico Madrid në sulm pas Luciano Viettos që u transferua nga Villarreali te bardhekuqët për 20 milionë Euro. Milanit tashmë nuk i mbetet gjë tjetër vecse të shohë për alternativa të tjera.
KOHA JONË SONDAZH

