Mavraj: Në fushë duhen 11 kapitenë, Panuçi më energjikë se De Biazi
Mërgim Mavraj pritet që të jetë kapiteni i Kombëtares në miqësoren ndaj Norvegjisë. Mbrojtja ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një nga pikat më të forta të Shqipërisë dhe lojtari i Hamburgut është i bindur për këtë gjë edhe në konferencën e radhës për shtyp.
“Mbrojtja ka qenë një nga pikat e më të forta të Shqipërisë, besoj se në këtë repart kemi lojtarë shumë të mirë, tani kanë ardhur në skuadër edhe disa elemente të rinj që do të na ndihmojnë.
Shiriti i kapitenit? Në fushë duhen 11 liderë, nuk ka shumë rëndësi nëse është larguar Lorik Cana apo dikush tjetër, që një përfaqësuese të ketë sukses duhet të ketë në fushë 11 luftëtarë që japin më të mirën për skuadrën. Nuk ka shumë rëndësi se kush është kapiteni, rëndësi ka që të gjithë futbollistët të japin maksimumin e tyre në fushë.
Ndryshimi midis Panuçit dhe De Biazit? Mosha bën të vetën, Panuçi është disi më energjik se De Biazi dhe ndryshon nga ai. Mbrojtja me asnjë nga trajnerët nuk ka qenë problem kështu që besoj se do të vazhdojmë të bëjmë paraqitje të mira në këtë repart.
Formacion më sulmues? Në futboll rëndësi kanë vetëm rezultatet dhe jo mënyra sesi luan skuadra. Është e vërtetë që tashmë jemi më të prirur drejt sulmit, por edhe De Biazi ka meritat që kombëtarja është në këtë nivel që ndodhet sot.
Prurjet e reja në Kombëtare? Të rinjtë kanë sjell entuziazëm po bëjnë maksimumin për t’u përshtatur sa më shpejtë dhe të futen në mekanizmat e skuadrës. Sigurisht që Shqipëria e ka grupin për të luajtur me skemën 4-3-3.
Kualifikimi në Euro 2020? Është shpejt për të folur për Europianin e ardhshëm por ne do të bëjmë gjithçka për të qenë pjesë sërish në kampionatin europian atë të vitit 2020”, ka thënë Mavraj në daljen për mediat.
KOHA JONË SONDAZH

