Mbyllet “telenovela” Modric, ja vendimi i mesfushorit kroat …
Luka Modric do të vazhdojë karrierën te Real Madrid. “AS” dhe “Marca”, gazetat më të mëdha të Madridit, në faqet e tyre online kanë shkruar se presidenti Florentino Perez e ka bindur kroatin që qëndrojë në “Bernabeu”, pavarësisht se dëshira e tij ishte të shkonte te Inter. 32-vjeçari do të firmosë kontratën e re me Real Madrid deri në qershor 2022 nga e cila do të marrë 10 milionë euro neto në sezon, katër milionë më shumë sesa merrte aktualisht. Në këtë mënyrë Modric barazon pagën e Sergio Ramos duke u bërë futbollisti i dytë më i paguar në ekipin “Los Blancos”, vetëm pas Gareth Bale.
Në fakt të njëjtën propozim i kishte bërë edhe klubi zikaltër, i cili i ofroi një kontratë 4-vjeçare, me 10 milionë euro në sezon, por mesa duket presidenti Fiorentino Perez e ka bindur për të vijuar aventurën me “Los Blancos”, pasi humbi Ronaldon gjatë kësaj vere. Sot pritet që të zyrtarizohet edhe firma e numri 10 mbi kontratën e re, teksa në sezonin e ri mesfushori kroat do të jetë lideri i skuadrës në repartin e mesfushës, duke qenë një ndër futbollistët me më shumë përvojë.
Ai do të tentojë që të futet në histori për të fituar Champions League për herë të katërt radhazi, një objektiv që ndoshta e ka bindur atë që të vijojë të mbetet në La Liga. Mediat spanjolle shkruajnë se fillimisht ai kishte shprehur dëshirën për të ndryshuar skuadër gjatë kësaj vere, por takimi i zhvilluar sot me Perez, ka qenë vendimtar për fatin e futbollistit më të mirë të Kupës së Botës që u zhvilluar këtë verë në Rusi.
KOHA JONË SONDAZH

