Mediat spanjolle: De Gea pason Casillas, Reali akord me portierin
David De Gea është zgjedhja e Real Madrid, për portën para sezonit të ri futbollistik. Portieri 24-vjeçar, i cili është nominuar edhe nga trajneri i Spanjës Vicente Del Bosque për të zëvendësuar Iker Casillias në katër-këndëshin e La Rojas, pëlqehet shumë nga drejtuesit madrilen dhe ashtu si në kombëtare De Gea mund të zërë vendin Casillias-it edhe te Reali.
Sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, Los Blancos e kanë arritur tashmë akordin me futbollistin por për të bërë të mundur transferimin e De Geas në Madrid duhet të bindet Manchester United. Ish portieri i Atleticos ka një kontratë me Djajtë e Kuq deri në verën e vitit 2016 dhe dëshira për të qenë pjesë e Realit ka bërë që 24-vjeçari të mos pranojë rinovimin që i kanë ofruar drejtuesit e United. Madje së fundmi gardiani spanjolli ka rezufuzuar një kontratë të re 4-vjeçare nga e cila pritej të përfitonte plot 7,5 milionë euro në sezon. Menaxheri i De Geas është portugezi Jorge Mendes dhe marrëdhënia e mirë që kanë drejtuesit e Realit me agjentin më të famshëm në futboll mund të ndikojë pozitivisht në këtë operacion merkatoje pasi portugezi nuk mbron vetëm interesat e De Geas por edhe të shumë futbollistëve të tjerë që janë apo kanë qenë pjesë e Realit në të kaluarën, si Cristiano Ronaldo, Fabio Coentrao, James Rodriguez, Pepe, Angel Di Maria dhe Ricardo Carvalho.
Klubi anglez kërkon minimalisht 40 milionë Euro për kartonin e 24-vjeçarit, një shifër e përballueshme kjo për arkat e Realit edhe pse madrilenët dëshirojnë ta ulin disi atë.
KOHA JONË SONDAZH

