Memushaj nuk arrin të ngjitet në Serie A
Ledian Memuashaj nuk ia ka dalë në mbrëmjen e djeshme me Pescarën e tij të vazhdonte betejën për t’u ngjitur në Serinë A.
Skuadra e shqiptarit u mposht në gjysmëfinalet e play off në shtëpi, me rezultatin 0-1 nga Verona, teksa ndeshja e parë kishte përfunduar në barazim me rezultatin 0-0.
Mesfushori ishte titullar për 90 minuta, por nuk mundi të bënte asgjë për të ndryshuar fatin e ekipit, i cili edhe në sezonin e ardhshëm do të duhet të marrë pjesë në Serinë B.
Ndërkaq, edhe në vlerësimet pas sfidës, ndeshja e Memushajt është vlerësuar me notën 5, teksa në Itali prisnin më shumë nga vlonjati.
“Ndihmon shumë në mbulim, sidomos në pjesën e parë. Provon më pas të shpejtojë manovrën sulmuese, por vuan presionin e kundërshtarit. Nga një lojtar i kalibrit të tij pritej më shumë”, ishte përshkrimi për mesfushorin.
Në këtë formë, mbyllet edhe ky sezon për Memushajn, i cili në aspektin personal për 32-vjeçarin mund të konsiderohet i suksesshëm duke llogaritur numrin e madh të asisteve, ndërsa ka arritur të shënojë edhe dy gola.
KOHA JONË SONDAZH

