Messi “makth” për Bayernin, kur fiton ndaj bavarezve triumfon në finale
Leo Messi është një nga arsyet se përse Barcelona mendon te fitorja kundër Bayernit të premten për të vijuar ëndrrën në Lisbonë. Argjentinasi është shqetësimi i madh i bavarezëve. Pas një sezoni atipik, të shënjuar nga dëmtimet së pari dhe pandemia më vonë, “Pleshti” ka treguar edhe një herë nivelin e tij më të mire.
Precedentët kundër Bayernit janë shumë optimiste për katalanasit. Në tri raste gjermanët janë sfiduar me Barçën e Messit në Ligën e Kampionëve, teksa në dy prej tyre katalanasit përfunduan duke ngritur trofeun. Dhe gjithmonë me gola të shënuar nga Messi. Në sezonin 2008-2009, atë të “tripletës” me Guardiolën në stol, Barça u takua me Bayernin në çerekfinale dhe e siguroi kualifikimin që në ndeshjen e parë (4-0), me dy gola të Messit. Gjatë rrugës për në Berlin, Bayerni përsëri e kryqëzoi rrugën me Barçën. Këtë herë ishte gjysmëfinale, e vendosur përsëri nga Leo Messi në ndeshjen e parë, që përfundoi 3-0.
Dy gola u realizuan nga argjentinasi, njëri prej tyre me driblimin historik të Jerome Boateng. Barça shkoi në finale, ku fitoi Champions-in e pestë. Vetëm në vitin 2013, Bayern e mundi Barçën e Messit. Ishte gjysmëfinale, sezoni i Tito Vilanova në pankinë. Skuadra katalanase arriti shumë e lodhur në përplasjen me bavarezët, pas 100 pikëve në La Liga. Në tri herë që Barça dhe Bayerni janë takuar në Champions vitet e fundit, ai që doli fitimtar në duelin direkt është shpallur më pas kampion i Europës.
KOHA JONË SONDAZH

