Michael Jordan: Jam gati të rikthem në fushë
Edhe pse ka 12 vjet që është tërhequr nga sporti dhe tashmë i ka kaluar të 50-tat, Michael Jordan shprehet se është gati të rikthehet sërish në fushë. “E dua shumë basketbollin dhe dua të kthej pas orën e të rikthehem të luaj”, ka deklaruar sot nga Parisi legjenda e NBA-së, aktualisht pronar i skuadrës së Charlotte.
“E di mirë që kjo gjë s’ka për të ndodhur, ndaj sot e shijoj këtë sport përmes sportistëve që zbresin në fushë dhe atyre që prodhoj nëpërmjet skuadrës time. Megjithatë, ju garantoj se jam në formë, psi stërvitem thuajse çdo ditë”, deklaroi Jordan, 6 herë kampion në NBA me skuadrën e Chicago Bulls.
Ai ndodhet në Paris për të lançuar markën e tij “Jordan Brand” në bashkëpunim me Nike, por nuk e la lënë mënjanë dashurinë e tij për basketbollin, duke marë edhe një top nën kullën Eifel. “Më vjen mirë që njerëzit më duan në fushë, pasi gjeneratat kalojnë dhe unë jam sërish i preferuar nga fansat e basketbollit”, shprehet Jordan, që ka luajtur më Chicago dhe Ëashington në karrierën e tij.
Në lidhje me basketbollin e sotëm ai shton: “Janë të shumtë ata që thonë se nëse do të luaja sot mund të realizoja 50-60 pikë. Për mua kjo nuk ka rëndësi. Sot në sport e rëndësishme është fitorja, ndaj dhe në këtë rast rëndësi ka loja në skuadër“.Më tej, legjenda Jordan shton: “Gjërat ndryshojnë me kalimin e viteve, disa rregulla janë ndryshe. Sot çdo gjë mësohet direkt në fushë, ndërsa dikur qëndronim 3-4 vite në kolegje”, shprehet Jordan nga Parisi për mediat. Në fund, një kthim pas në kohë dhe emocione për “Dream Team”, që bëri revolucion në basketboll. “Ajo skuadër ndryshoi shumë gjëra në basketbollin botëror. Shumë lojtarë nga Europa erdhën në NBA, basketbolli pati më shumë shikueshmëri dhe gjithçka u bë në të mirë të këtij sporti. Kjo gjë ndihmoi në rritjen globale të basketbollit”, shprehet Jordan, 5 herë MVP i sezonit të rregullt dhe 6 herë MVP i finaleve të NBA-së.
KOHA JONË SONDAZH

