Mikel Canka, pranë firmës me Partizanin
Mikel Canka duket se do të jetë përforcimi i ri i skuadrës së Partizanit për sezonin e ardhshëm. Sulmuesi 28-vjeçar, që spikati në pjesën e dytë të vitit me ekipin e Lushnjes në Kategorinë e Parë është stërvitur me të kuqtë kryeqytetas së fundmi dhe me shumë gjasa do të jetë blerja e parë e Partizanit për këtë sezon. Canka, kartoni i së cilit në fakt sezonin e shkuar i përkiste Apolonisë, u huazua te ekipi i qytetit të tij të lindjes, Lushnja, gjatë pjesës së dytë të kampionatit dhe me lagunarët shënoi 15 gola në 14 ndeshje duke qenë lojtari kryesor për verdhëjeshilët.
Dhe pse gaboi një 11-metërsh në ndeshjen e javës së fundit përballë Bylis, që i kushtoi ekipit të tij dhe ngjitjen në Kategorinë Superiore, gjithsesi Canka njihet për aftësitë e tij përpara portës. Në karrierën e tij Canka rezultatet më të mira i ka arritur me Lushnjen, aq sa në sezonin 2012/2013 u shpall dhe golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë.
KOHA JONË SONDAZH

