Mjafton barazimi me Tiranën, Berisha: Skënderbeu shpallet kampion

Edhe tre javë nga përfundimi i garës së këtij sezoni dhe korçarët para ndeshjes direkte me Tiranën duken tashmë të sigurtë drejt suksesit të radhës. Partizani shkon me probleme në Vlorë, ndërsa Kukësi i bindur për suksesin në Europë. Ekipet e Kategorisë Superiore janë në përgatitjet e fundit para ndeshjeve të javës së 34-ët, duke bërë edhe llogaritë e fundit:

Berisha: Ta sigurojmë titullin me Tiranën

Bernard Berisha është duke kaluar momente fantastike në radhët e Skënderbeut. Ai në përballjen me Kukësin ndikoi që Dritan Smajli të ndëshkohej me karton të kuq, si dhe dha assist për golin e Lilaj. Ishte ky gol që vendosi atë sfidë deilkate, ndërsa ndaj Teutës shënoi golin e tretë në fitoren 4-2 të formacionit të Mirel Josës. Vetë 23-vjeçari veçon golin ndaj “Djemve të Detit”, si momentin më të rëndësishëm, pasi ai sukses e çoi 5 pikë diferencën me Tiranën. – “Mendoj se goli me Teutën ishte më i rëndësishmi, sepse fituam dhe u shkëputëm nga Tirana”. Titulli për të pestin vit radhazi ka marrë tashmë rrugën drejt Korçës, mirëpo dëshira e kosovarit Berisha është që trofeu i kampionit të sigurohet matematikisht në takimin e kësaj fundjave në përballjen direkte me Tiranën. Edhe një barazim do të mjaftonte për të besuarit e Mirel Josës.  – “Ne duam që të shkojmë të qetë në dy ndeshjet e fundit, prandaj synimi ynë është të fitojmë me Tiranën. Gjithsesi e rëndësishme është të mos humbasim”. Kalimi nga Besa te Skënderbeu verën e kaluar rezultoi një hap shumë i rëndësishëm në karrierë për Berishës, i cili e pranon se me kampionët e Shqipërisë ka fituar më shumë eksperiencë.  – “Unë jam i njëjti futbollist, vetëm se te Skënderbeu mendoj se jam rritur më shumë profesionalisht. Këtu ka më shumë lojtarë cilësorë prej të cilëve mund të përfitoj shumë”.  Në fund të sezonit përfundon kontrata e Berishës me Skënderbeun, por ai thotë se ky nuk është momenti i duhur për të folur për të ardhmen.

Swiss Digital Desktop Reklama

Partizani, i gjymtuar në Vlorë

Swiss Digital Mobile Reklama

Impenjimi maksimal në derbin e fundit ndaj Tiranës ka lënë pasoja serioze në kampin e kuq. Thuajse gjysma e lojtarëve që zbritën në fushë në “Qemal Stafa” pritet të mungojnë në transfertën e Vlorës për javën e 34-ët të Kategorisë Superiore. Idriz Batha dhe Nderim Nexhipi kanë plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe janë të pezulluar në ndeshjen e radhës. Lorenc Trashi, Emiljano Vila dhe Alban Hoxha kanë probleme fizike. Trashi ka pasur nevojë për pushim absolut dhe nuk është stërvitur në seancat e para të javës anti-Flamurtari. Vila dhe Hoxha kanë vijuar me terapi dhe shpresohet të jenë në dispozicion të Duros. Pezullimet dhe dëmtimet e detyrojnë trajnerit e të kuqve të bëjë ndryshime të shumta në formacion, me Ibrahimin, Bylykbashin, Dajën në mesfushë dhe Vatnikaj në sulm. Megjithatë, Flamurtari ka mbetur pa objektiv dhe mos-impenjimi maksimal i këtij kundërshtari pritet të shfrytëzohet nga të kuqtë, ndonëse me mungesa.  Nëse grumbullon 9- pikë të plota Partizani lë pas në renditje një nga dy rivalët, Tiranën ose Kukësin, çfarëdo që të ndodhë në sfidat e tyre.

Pejiç: Kukësi, 100% në Europë

Pero Pejiç nuk ka dyshime për pjesëmarrjen e Kukësit në Europa League sezonin e ardhshëm. Sulmuesi kroat është i sigurtë se veri-lindorët nuk do të gabojnë në tri ndeshjet e mbetura të kampionatit, ndonëse objektivi kryesor i nën-kampionëve të Shqipërisë mbetet Kupa e  Shqipërisë. – “Unë jam i sigurtë se ne do të luajmë në Europë. Sigurisht që synimi ynë kryesor është të fitojmë Kupën e Shqipërisë, por edhe në kampionat do të luftojmë për ta mbyllur sezonin në një pozicion sa më të mirë”. Nëse do të konsiderohet i dështuar sezoni i Kukësit dhe nuk arrin të fitojë asnjë trofe, Pejiç përgjigjet: – “Nuk di ç’të them. Unë mendoj pozitivisht dhe them se me 100% do të luajmë në Europë”.  “Këpuca e Artë” është një trofe individual që praktikisht Pejiç e ka siguruar, megjithatë dëshira e tij është të shënojë edhe në ndeshjet e mbetura të sezonit. Për sa i përket të ardhmes, Pejiç lë të kuptohet se gjithçka mbetet e hapur.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush është problemi sot: Edi Rama apo Sali Berisha?