Nga Kukësi te Kastrioti, ja si kanë ndryshuar ekipet e Superiores nga merkato
Të enjten në mbrëmje është mbyllur merkato e dimrit, e cila këtë sezon ka qenë shumë e ndezur për disa klube të Kategorisë Superiore. Shumë prej tyre jo vetëm që kanë bërë përforcime, por kanë ndryshuar një pjesë të mirë të grupit. Duke parë lëvizjet e shumta që janë bërë, nuk është shumë e vështirë për të bërë një renditje të skuadrave më të mira dhe atyre që kanë bërë pak ndryshime.
Kukësi- Skuadra verilindore meriton një vlerësim maksimal për punën e bërë gjatë këtij janari, duke përforcuar organikën e futbollistëve. Presidenti Safet Gjici kërkon të fitojë titullin kampion dhe për këtë qëllim ka blerë futbollistë të spikatur në Superiore dhe jo vetëm. “Qershia mbi tortë” ishte padyshim afrimi në ditën e fundit i Valdet Ramës. Ish-mesfushori i kombëtares do të shtojë shumë kualitetin në sulm me eksperiencën e madhe që ka. Vasil Shkurtaj dhe Eduart Rroca u blenë nga Luftëtari, të dy ndër më të kërkuarit në merkato. Afrimi i katërt është Faton Xhemaili, mbrojtësi i krahut të majtë vjen nga Serbia. Pas dëmtimit të Faton Malokut, verilindorët huazuan portierin e SPAL-it në Seria A, Mauricio Gomes. Në mbrojtje u afrua një tjetër futbollist me shumë eksperiencë si Olsi Teqja, i cili gjithashtu ka shumë eksperiencë. Largimet: Haris Harba, Dino Spehar, Vangjel Zguro, Donjet Shkodra, Chafik Tigroudja, Omer Touren, Harallamb Qaqain, Arlind Kala.

Teuta- Ekipi durrsak ka ndjekur një strategji të ngjashme me Kukësin, por kanë qenë disi më të kursyer në lëvije. Bregdetarët afruan Erlis Frashërin, Tomislav Busicin dhe Renato Arapin. Të tre futbollist që e njohin mjaft mirë kampionatin tonë, duke i dhënë eksperiencën e duhur skuadrës së Shkëmbit që kishte nevojë për më shumë stabilitet, për të synuar pse jo titullin kampion. Largimet: Bojan Gjorgievski, Arsid Kruja, Jurgen Peqini, Jurgen Vogli, Edison Ndreca.

Partizani- Skuadra e drejtuar nga Skënder Gega ka bërë lëvizje të pakta në merkato, por të kuqtë nuk është se kishin shumë mangësi në dy fazat e para. Lum Rexhepi dhe Hektor Idrizaj ishin dy lëvizje të zgjuara, ndërkohë që në ditën e fundit u afruan edhe Kevin Mombilo dhe Tijan Jaiteh. Më parë për Partizanin nënshkruan edhe Alessio Hyseni dhe Dilly Duka. Largimet: Renato Gojkovic, Rron Statovci, Senad Hysenaj, Alma Uakili.

Laçi- Skuadra kurbinase nuk ka bërë një merkato me shumë investime të mëdha. Presidenti Pashk Laska kanë afruar një talent si Enis Çokaj, ndërkohë që para tij nënshkruan Antoni Okpotu dhe Malik Mane. David Domgjoni, Edmir Sali, Klaudio Çema dhe Irlian Ceka plotësuan listën e afrimeve, por që pak prej tyre do të kenë mundësinë për të qenë titullarë, pasi Prenga ka nj ekip solid. Largimet: Sebastian Toro, Klevis Hasanbelli, Andi Hadroj, Xhevahir Sukaj, Marjan Altiparmakovski, Erjon Dragoi.
Skënderbeu- Ekipi korçar këtë herë ka qenë më i kursyer në merkato. Elmir Asani, Shqiprim Taipi, Idriz Toskiç, Marko Pervan dhe Këasi Sibo janë afrimet e merkato, por vështirë se ndonjë prej tyre do të ketë vend në formacionin bazë të trajnerit Shehi. Futbollisti më interesant është Sibo që jo rastësisht është blerë nga Uatfordi dhe Udinese. Largimet: Realdo Filin, Almir Ajzeraj, Guindo, Demte,Arnaud Guedjin.

Kamza- Ekipi nga preferua e kryeqytetit nuk ka bërë shumë investive të mëdha. Spikat afrimi i meksikanit David Izazola, Arbër Shala në formë huazimi nga Drita, Elidon Selacin nga Burreli, Hallaramb Qaqin dhe Bojan Gjorgevskin. Largimet: Erlis Frashëri, Olsi Teqja, Kirev, Rolovic, Rami, Xhuljan Turhani

Kastrioti- Krutanët kanë bërë një revolucion të vërtet në merkaton e dimrit duke ndryshuar më shumë se gjysmën e skuadrës. Trajneri Bledar Devolli do të ketë një ekip të kompletuar, pasi ka afruar futbollistë si Edison Ndreca, Edi Boyom, Arlin Kalaja apo Brunild Pepa që kanë eksperiencë në Superiore. Nuk duhen harruar as emra të tjerë si Joan Beçka, Kleo Fejzaj, Erlind Koreshi, Amarildo Çekrezi dhe Kingsli Obodike. Nga ekipi krutan janë larguar 13 futbollistë.
Flamurtari- Problemet ekonomike kanë bërë që vlonjatët të jenë shumë të tërhequr në merkato. Ekipi i drejtuar nga Ilir Daja ka humbur shumë elementë të rëndësishëm duke filluar nga kapiteni Tomoslav Busic dhe Goran Siljanovski. Flamurtari ka humbur edhe shërbimet e Alessio Hysenit, , Kristian Sirgin e Edmir Salin. Afrimet kanë qenë vetëm sulmuesi Xhevahir Sukaj dhe mbrojtësi Lejdi Liçaj nga Luftëtari.
Luftëtari- Është skuadra më e dobët në merkato, duke konfirmuar momentin e vështirë financiar.Ekipi gjirokastrit humbi një pjesë të mirë të titullarëve si Vasil Shkurtajn, Eduart Rrocën, Ivan Jakovljeviç, Vladan Milosavljev, apo dhe futbollistë të tjerë të rëndësishëm si Nemanja Janicic, Balsa Radovic e Romario Cekaj. Drejtuesit janë munduar të afrojnë lojtarë si Realdo Fili, Mërgim Nezirtin, Riste Iljovski, Angelos Hanti, Alvi Ahmetaj, Avernold Qyrani, Edvan Bakaj dhe Dimitris Kotsonis. /Rozalb Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

