Njihuni me “mostrën” Nicolas Pepe, francezi që ka “këmbën” e Robben (VIDEO)
I ka mjaftuar vetëm një sezon për t’u shndërruar nga një i panjohur, në një nga futbollistët më të kërkuar në merkato. Po flasim për një nga futbollistët më të spikatur këtë sezon në Ligue 1, Nicolas Pepe, protagonist me skuadrën e Lille.
Emri ndoshta e tij është pak i njohur për shumë prej jush, por në 37 ndeshje gjatë këtij sezoni në kampionatin francez, Pepe ka shënuar 22 gola dhe 11 asist për shokët e tij, praktikisht duke marrë pjesë në çdo gol brenda 90 minutave. Në Europë, vetëm Messi, Mbappe dhe Quagliarella kanë bërë më mirë se ai.
Një shpërthim i pabesueshëm i talentit, pasi sezonin e kaluar ishte në hije nën drejtimin e trajnerit Bielsa. Strategu i ri Christophe Galtier, e vendosi në një pozicion më natyral në krahë, duke bërë që futbollisti i ditëlindjes 1995, të shpërthente me 9 gola në fazën e dytë.
Por cilat janë pikat e forta të Pepe? Trajneri i tij shpesh herë e krahason me Robben me aftësinë për të lëvizur dhe dribluar me këmbën e majtë. Veprimet e tij spektakolare dhe shpejtësia, e bëjnë një nga mesfushorët më të kërkuar të momentit.
Falë një të majte magjike, Pepe shërben mjaft mirë për shokët e tij, duke dhënë shumë asist. Ai është një nga më të kërkuarit në merkato, por presidenti i Lille e ka bërë të qartë se nuk do të heqë dorë prej tij pa 70 milionë euro. /Rozalb Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

