Partizani godet në merkato, zyrtarizon mbrojtësin rumun Bodlor
Deian Boldor është përforcimi i radhës në mbrojtje për skuadrën e Partizanit. 24-vjecari vjen me formulën e huazimit për një vit nga Hellas Verona, një aks i preferuar në merkaton e kuqe prej nga janë bërë edhe dy transferimet e vëllezërve Ekuban.
Eksperienca nuk i mungon dhe CV-ja e tij është tunduese, pjesëtar i kombëtareve të 17-vjeçarëve dhe të 21-vjeçarëve të Rumanisë, në nivel klubesh ka luajtur me disa skuadra italiane, Roma, Pescara, Bolonga, ka provuar eksperienca dhe tej oqeanit te Montreal Impact në Kanada dhe në sezonin e fundit ka qenë me Foggian në Serinë B, ku nuk ka arritur të gjejë hapësirat e kërkuara, pasi për pjesën më të madhe të sezonit ka qëndruar në stol, por një vit më parë është blerë nga Verona për një shumë që raportohet diku te 2 milionë euro.
Rumuni i është bashkuar menjëherë skuadrës, është në dispozicion të trajnerit Lerda që për ndeshjen e parë të Europa League përballë Sheriff Tiraspolit, që luhet këtë të enjte, megjithëse duket e vështirë që rumuni të gjejë menjëherë hapësirë pas vetëm një seance stërvitore me skuadrën.
Boldor mund të luajë si në qendër të mbrojtjes, një rol ku nevoja për Partizanin ishte evidente, pasi veç tij figuronin si lojtarë roli vetëm Belica dhe i riu Bitri, por edhe në krahun e majtë të mbrojtjes, një pozicion ku deri më tani nga trajneri italian është preferuar më së shumë Esin Hakaj.
KOHA JONË SONDAZH

