Pas titullit kampion, Skënderbe thur plane për sukses në Champions
Titulli i 5-të kampion radhazi është vetëm 1 fitore larg për Skënderbeun. Këtë fundjavë Korçën e viziton Flamurtari pa objektiva dhe fitorja e Skënderbeut pritet ta kurorëzojë matematikisht kampion për herë të pestë radhazi ekipin korçar, që ka nisur të bëjë plane për Champions. Pas katër sezoneve radhazi, synimi këtë radhë është i qartë, objektivi madhor për të shkuar deri në fazën e grupeve të kompeticioneve evropiane. Në ndihmë të këtij objektivi vërtet ambicioz Skënderbeut i vjen edhe rruga e jashtëzakonshme e suksesit në vitet e fundit.
Pjesëmarrjet e njëpasnjëshme në 4-vitet e mëparshme në turet paraeliminatore të Champions League kanë bërë që korçarët të kenë një koefiçent më të lartë në renditjen e klubeve të publikuar nga Uefa në bazë të së cilës bëhet edhe ndarja e skuadrave në vazon e parë dhe atë të dytë. Kalimi i turit të dytë në Champions League në sezonin 2013-2014 dhe të mbi të gjitha arritja deri në fazën Play-Off të Europa League në po atë edicion ku kampionët e Shqipërisë u eliminuan pas goditjes së 11-metërshave nga Chernomorets Odessa i kanë dhënë një bonus të madh Skënderbeut. Skuadra e Mirel Josës në renditjen e re të klubeve të publikuar nga Uefa ku merret parasysh pjesëmarrja në Europë gjatë 5 viteve të fundit numëron 5575 pikë dhe pozicionohet në vendin e 249-të. Koefiçent ky që mund t’i japë të drejtën Skënderbeut të bëjë pjesë në vazon e skuadrave pretendente në shortin e turit të dytë të Uefa Champions League.
Megjithatë jo gjithçka varet nga “Ujqërit e Dëborës”, sepse që Skënderbeu të jetë në vazon e parë ku bëjnë pjesë 17 klube, ndërsa 17 të tjera pozicionohen në vazon e dytë, duhet patjetër që 3 nga 4 skuadra në disa prej kampionateve europiane të mos shpallen kampione të vendeve të tyre sepse 15 skuadra që e kanë fituar tashmë titullin ose janë shumë pranë kanë një koeficent më të lartë se kampionët e Shqipërisë. Pra që korcarët ta kenë më thjeshtë kualifikimin për në ruandin e tretë dhe që të sigurojnë minimalisht pjesëmarrjen në Play-Offin e Europa League ashtu si dy vite më parë, duhet që tre ekipe mes Steauas së Bukureshtit, Zilinas, Sherifit të Tiraspolit dhe Zelenzejcarit të mos fitojnë kampionatet e tyre respektive. Gjithsesi shanset që Skënderbeu të jetë në vazon e skuadrave pretendente janë të mëdha sepse asnjë prej këtyre skuadrave nuk kryeson klasifikimin në kampionatin e vendit të saj. Kështu Steaua e Bukureshit renditet e dyta në Rumani kur kanë mbetur edhe tre javë nga fundi i kampionatit. 1 pikë është disavantazhi i Steauas ndaj kryesuesve të Targu Mures që nëse fitojnë titullin do t’i japin mundësi korcarëve të kenë një shans më tepër për të qenë pjesë e vazos së parë.
Por vetëm Targu Mures nuk mjafton pasi duhet që në Sllovaki ta fitojë kampionatin ekipi i Trencin dhe jo Zilina që ka një koeficent më të lartë se korcarët në klasifikimin e Uefas. Aktualisht 4 javë përpara fundit Trencin kryeson me 5 pikë avantazh ndaj Zilinas dhe të pakta janë shanset që këta të fundit të fitojnë titullin. Në Moldavi mjafton që kampionatin të mos e fitojë Sherifi i Tiraspolit, një skuadër që ka dhuruar paraqitje më të mira në Europë se Skënderbeu gjatë 5 viteve të fundit. Kur kanë mbetur edhe 2 javë nga fundi Sherifi pozicionohet në vendin e tretë me 3 pikë disavantazh ndaj Dacia Chisiniau-t dhe me pikë të barabarta me Milsamin. Nëse ky skenar realizohet atëherë Skënderbeu do të ishte matematikisht në vazon e ekipeve pretendente nuk do të kishte fare rëndësi se çfarë do të ndodhë në kampionatin boshnjak me Zelejnzecarin që renditet 1 pikë prapa Sarajevos. Por edhe nëse 2 nga këto 4 skuadra do të fitojnë titullin, Skënderbeu sërish e ka një shans të fundit dhe ai është që Qarabagu ku luajnë dy futbollistët shqiptarë Ansi Agolli dhe Admir Teli të parakalohen nga Inter Baku në klasifikimin e kampionatit azerbaxhanas.
Me pak fjalë shanset që korçarët të jenë pjesë në vazon e parë janë me të vërtetë të madhe dhe ëndrra e të gjithë shqiptarëve për të parë një skuadër të tyren të luajë në fazën e grupeve të një kompeticioni madhor si Champions League është e gjithnjë e më pranë realizimit, edhe pse kjo do të varet nga Skënderbeu dhe jo vetëm.
KOHA JONË SONDAZH

